Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, ka reaguar lidhur me vendimin e Bashkimit Europian për t’i përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë në skemën “roaming like at home”, që u lejon qytetarëve të përdorin shërbimet telefonike në vendet e BE-së me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Pollo e cilëson këtë vendim si një hap konkret dhe të prekshëm për qytetarët e këtyre vendeve, dhe kritikon kryeministrin Edi Rama dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështimin.
Pollo thekson se masa të tilla konkrete, si roamingu “si në shtëpi” apo përfshirja në sistemin SEPA me tarifa minimale bankare për pagesat në eurozonë, do të ishin hapa realë drejt integrimit europian, ndryshe nga objektivat që, sipas tij, mbeten të paarritshme për mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2030.
Postimi i Genc Pollos
Bashkimi Europian i akordoi sot Ukrainës e Moldavisë roaming normal (aq sa kushton interneti e thirrjet në vend; i njohur anglisht si “roaming like at home”). Përgëzime të tëra palëve
Por Ballkani Perëndimor, me popullsi më pak se gjysma e Ukrainës e gjeografikisht më pranë qendrës së Europës ende nuk e sheh të përmbushur këtë premtim. Pse? Ndoshta e shpjegon Rama në bisedë me median mbasi të mbarojnë pyetjet për Ballukun e Karçanajn. Ose ndonjë Komisionere Zgjerimi mbasi të këpusë ndonjë broçkull për “free and fair elections”.
Në fakt hapa si “roamingu normal” janë hapa realiste të integrimit të Shqipërisë/Ballkanit Perëndimor në BE dhe të ndjeshme për çdo qytetar.
Mbyllja e kapitujve të negociimit në v2027 e anëtarësimi në BE në v2030 janë (le të evitojmë shprehjen “broçkull”) jorealiste për shumë arsye. Duke filluar nga statusi “RAK” (regjimi autoritar e kleptokratik) i Ramës e i Vuçiçit.
Prandaj hapat konkretë me pasoja pozitive e të ndjeshme në përditshmëri janë të dobishme. Krahas SEPA-s (tarifa minimale bankare për pagesat me eurozonën) roamingu normal do të ishte shembull konkret pozitiv.
Genc Pollo
President i Paneuropa-Shqipëri














