Teksa viti 2025 po mbyllet, banorët e Gazës po e përjetojnë ndërrimin e viteve larg festimeve dhe gëzimit. Për ta, çdo ditë mbetet një betejë për mbijetesë, mes shkatërrimit, varfërisë dhe pasigurisë.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë France24, pjesa më e madhe e territorit është shndërruar në rrënoja pas muajsh të tërë bombardimesh. Furnizimi me energji elektrike mbetet i kufizuar, ndërsa qindra mijëra banorë jetojnë në tenda të improvizuara, pasi janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga nisja e konfliktit në tetor 2023.
“Ne po jetojmë në një makth të pafund. Shpresa jonë është që viti 2026 të sjellë fundin e kësaj vuajtjeje. Duam vetëm një jetë normale, drita, rrugë të sigurta dhe të mos jetojmë më mes rrënojave,” – shprehet një banore nga Qyteti i Gazës.
Në të gjithë territorin, skena të varfërisë dhe mungesës janë bërë të zakonshme. Fëmijë që presin me bidonë për ujë, familje të strehuara në çadra dhe lagje të tëra të shkatërruara nga bombardimet përbëjnë realitetin e përditshëm të mbi dy milionë banorëve.














