Analisti Lutfi Dervishi tha se skandali i AKSHI-t përbën ngjarjen më të rëndë të vitit 2025 dhe se pasojat e tij do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet politike të vitit 2026.
I ftuar në emisionin “A Show” në SYRI TV, Dervishi u shpreh se kjo çështje ka zbuluar probleme të thella në funksionimin e shtetit dhe ka nxjerrë në pah dobësinë e institucioneve përballë korrupsionit dhe keqpërdorimit të të dhënave.
Sipas tij, rasti i AKSHI-t nuk është thjesht një skandal administrativ, por një tregues i qartë se si strukturat shtetërore janë përdorur në mënyrë të gabuar, duke cenuar sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve.
“Ngjarja ka pasur shumë vitit 2025, nuk do të quaj ndonjë ngjarje që kërcënon ekzistencën e vendit, se është një vend që i ka mbijetuar shtatë perandorive edhe i ka mbijetuar edhe qeveria shqiptare, kështu që nuk ka arsye që të mos i mbijetojë edhe qeverisë shqiptare të radhës.
Po ngjarja më e rëndë është AKSHI, që tregon kapjen e shtetit nga krimi i organizuar. Domethënë, që pastaj sjell ndonjë paralizë dhe sjell pastaj dhe disa realitete. Domethënë sot dëgjuam kryeministrin që thotë që AKSHI ka bërë transformim epokal. Në të vërtetë, SPAK e heton për ëh, strukturë kriminale. Pra, ose njëra ose tjetra, nuk mund të qëndrojnë të dyja.
Po historia tregon domethënë që kjo është një ngjarje, një nga ngjarjet më të rënda që ridel në sipërfaqe sërish në 2025-ën, sepse po të kishte bërë SPAK punën siç duhet në 2021-shin, në dhjetor të 2021-shit ka qenë rrjedhja e të dhënave personale të shqiptarëve nga patronazhistët.
Aty ishte krejt e qartë që ato të dhëna ishin të e-Albania-s dhe ranë në duart të partisë në pushtet pra. Nëse prokurorët e SPAK-ut në atë kohë do të kishin hetuar burimin e rrjedhjes dhe nga, nga janë këto, nga kanë dalë këto të dhëna dhe jo të hetonin gazetarët që ëh, në atë rast, do i kishte kursyer vendit disa milionë euro dhe do i kishte kursyer dhe këtë traumë të madhe që kemi me hetimin si grup i strukturuar kriminal i zyrtarëve të AKSH-it.
Është një ngjarje shumë e rëndë, domethënë, ra struktura, ra qeveria apo s’ra qeveria, ngjarja është jashtëzakonisht e rëndë. Domethënë, janë të dhënat e shqiptarëve, janë të dhëna sensitive, është jeta e gjithsecilit, është prona e gjithsecilit dhe këto nuk janë në duar të sigurta. Pastaj, në këtë ngjarje ne pamë gjëra që i turpërojnë skenaristët e Netflix-it.”, tha Dervishi.














