Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e regjistruar këtë të hënë në Shkodër, ku pas një shpërthimi të matësit të energjisë elektrike, humbi jetën 67- vjeçari Hysni Ymeri.
Deri më tani shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes vijojnë të jenë të paqarta pasi Policia dhe OSHEE dolën me dy versione të ndryshme lidhur me rastin, ndërkohë që grupi hetimor ka ngritur dyshime për një sasi eksplozivi të mundshme në matësin e energjisë, dhe ka dyshime se viktima është familjari i një personi të dënuar me burg për një vrasje të regjistruar në Shkodër.
Megjithatë burime për mediat bëjnë me dije se grupi i antiterrorit, ka kryer kçyrjen e vendngjarjes dhe nuk ka konstatuar me sy të lirë mbetje të lëndëve eksplozive, por ka mbledhur materialet të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike. Analiza kimike është ajo që do ta përcaktojë nëse ka patur apo jo tritol.
Ndërkohë, Nga ana tjetër ekspertiza mjeko ligjore në spitalin e Shkodrës pas kçyrjes së trupit të viktimës e ka përcaktuar humbjen e jetës të 67 vjeçarit për shkak të energjisë elektrike.
Sipas këtij raporti, viktima ka të dëmtuar dorën e djathtë nga kontakti me korentin si dhe ka dëmtime në koka nga djegia ndërsa në trup është i padëmtuar. Fakti që ka dorën e djathtë të nxirë nga energjia elektrike dhe jo të majtën e cila ishte në anën e panelit elektrik kur tentoi të ngjitej në pallat, ka bindur grupin mjeko ligjor që ta përcaktojnë vdekjen nga kontakti me korentin duke shtuar edhe djegien nga flakët në kokë.
Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.
LEXO EDHE:
Shpërthimi me një të vdekur në Shkodër, OSHEE përplaset me Policinë. Kush gënjen?














