Një burrë spanjoll dhe tre nga fëmijët e tij rezultojnë të zhdukur pasi varka turistike me të cilën po udhëtonin u fundos në ujërat e Ngushticës së Ishullit Padar, pranë destinacionit turistik të njohur Labuan Bajo, në Indonezi.
Sipas agjencisë AFP, në bord ndodheshin gjithsej 11 persona kur mjeti lundrues u përfshi nga dallgë të forta dhe u fundos mbrëmjen e së premtes. Gruaja e burrit të zhdukur dhe një nga vajzat e tyre u shpëtuan, së bashku me katër anëtarë të ekuipazhit dhe një guidë turistike.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vijojnë për katër personat e zhdukur – një burrë, dy djem dhe një vajzë. Koordinatori i misionit të kërkimit, Fathur Rahman, deklaroi për AFP se ekipet kanë gjetur disa mbetje të anijes në zonën ku dyshohet se është fundosur mjeti.
Megjithatë, operacioni po has vështirësi serioze për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Sipas autoriteteve, dallgët kanë arritur deri në 1.5 metra, ndërsa rrymat e forta e kanë bërë kërkimin të rrezikshëm. Ishulli Padar është mbyllur për vizitorët për shkak të motit ekstrem.
Autoriteti Portual i Labuan Bajo bëri të ditur se dallgët kanë arritur deri në 3 metra, çka dyshohet të ketë qenë shkaku kryesor i fundosjes së mjetit lundrues. “Kushtet e motit e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme dhe efektive,” tha drejtori i autoritetit portual, Stephanus Risdiyanto.














