Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka komentuar propozimin e fundit të qeverisë për shqyrtimin e investimeve të huaja, teksa e ka cilësuar si një nismë të vonuar, të pjesshme dhe larg standardeve që Shqipëria ka detyrim të zbatojë.
Sipas saj, propozimi aktual i qeverisë nuk i përgjigjet as seriozitetit të momentit dhe as rreziqeve reale me të cilat përballet vendi.
Ajo thekson se Shqipëria nuk ka nevojë për ligje ‘sa për të kaluar radhën’, por për një legjislacion të fortë, dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së.
“Një nismë e vonuar dhe gjysmake, ndonëse kërkesa e partnerëve tanë amerikanë dhe të Bashkimit Europian ka qenë e qartë dhe e përsëritur, dhe vjen në një moment tejet kritik për sigurinë dhe orientimin strategjik të vendit. Shqyrtimi serioz i investimeve të huaja nuk është një ushtrim formal, por një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare, mbrojtjen e të dhënave dhe orientimin strategjik të Shqipërisë. Shqipëria nuk ka nevojë për ligje ‘sa për të kaluar radhën’, por për një legjislacion të fortë, të besueshëm dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së,” shprehet Tabaku ndër të tjera.













