Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nën dyshimet për mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë.
Ahmeti akuzohet se gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i Komunës së Prishtinës, në periudhën 2018–2022, ka paraqitur me dashje deklarata të pasakta të pasurisë.
Prokuroria thotë se ai nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme të realizuara personalisht gjatë këtyre viteve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. I pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse. Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.













