Është shtyrë mbledhja e Sekretariatit të Etikës, për shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste për masat disiplinore ndaj 29 deputetëve të Partisë Demokratike.
Mësohet se shkak për shtyrjen e mbledhjes është bërë numri i lartë i deputetëve që duan të njihen me provat, pasi ata pretendojnë se po përjashtohen pa të drejtë.
Mbledhja është caktuar të shtyhet për të martën në orën 10:00.
PS kërkoi ditën e djeshme të merren masa disiplinore ndaj 29 deputetëve të opozitës pas tensioneve dhe incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare në Kuvend me argumentin se veprimet e deputetëve kanë qenë të mirëorganizuara dhe kanë përfshirë akte dhune dhe incidente të rënda.
Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, mazhoranca kërkon ndëshkime disiplinore që variojnë nga 10 deri në 60 ditë përjashtim nga seancat plenare dhe nga punimet e komisioneve parlamentare për deputetët e përfshirë.














