Kryeministri Edi Rama ka vijuar deklaratat triumfaliste në rrjetet sociale, duke pretenduar se ka “nderuar” Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Duke folur për qëndrimin e tij në samit, Rama u shpreh se ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i qëndrojë marrëveshjes për mbylljen e negociatave me Shqipërinë deri në vitin 2027. Ai la të kuptohet se ka folur “troç dhe pa dorashka”, duke ironizuar partnerët evropianë se ndonjëherë “luajnë me marrëveshjet”.
“Pa modesti, ju kam nderuar. Vlera e Shqipërisë është rritur sepse fjalën tonë e themi drejt dhe në sy”, deklaroi Rama, duke shtuar se Shqipëria është më e respektuar se kurrë më parë në Bruksel, të cilin e quajti “tempulli i Evropës politike”.
Sipas tij, vendi ndodhet në kushte historikisht më të mira në raport me Bashkimin Evropian dhe gëzon respekt maksimal nga institucionet evropiane.
Ndërkohë që Kryeministri shfaqet i vetëkënaqur në rrjetet sociale, opinioni publik zien nga skandalet që përfshijnë qeverinë e tij. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, konkretisht për tenderin e Tunelit të Llogarasë me fond limit rreth 190 milionë euro.
Paralelisht, SPAK ka nisur zyrtarisht hetime edhe për të shtatë lotet e projektit të Unazës së Madhe, një investim me vlerë rreth 450 milionë euro, duke e zgjeruar ndjeshëm hetimin ndaj Ballukut.
Kështu, ndërsa Rama flet për “nder” dhe respekt ndërkombëtar, qeveria e tij përballet me një seri hetimesh që hedhin hije të forta mbi integritetin dhe transparencën e pushtetit.














