Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të rasteve të gripit në Evropë, të nxitura nga një variant i ri dominues i virusit, duke vënë nën presion serioz sistemet e kujdesit shëndetësor në disa vende të Bashkimit Evropian.
Sipas OBSH-së, të paktën 27 nga 38 vendet e rajonit evropian raportojnë aktivitet të lartë ose shumë të lartë të gripit. Në gjashtë vende, përfshirë Irlandën, Serbinë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se gjysma e pacientëve me simptoma gripi kanë rezultuar pozitivë.
OBSH bën me dije se sezoni i gripit ka nisur rreth katër javë më herët krahasuar me vitet e kaluara. Varianti dominues është nënlloji sezonal A(H3N2) K, i cili përbën deri në 90% të rasteve të konfirmuara në Evropë. Megjithatë, organizata thekson se deri tani nuk ka prova që ky variant të shkaktojë forma më të rënda të sëmundjes.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans-Henri Kluge, u shpreh se ky sezon gripi është më i vështirë se zakonisht dhe tregon se edhe ndryshime të vogla gjenetike të virusit mund të kenë ndikim të madh në sistemet shëndetësore. Ai theksoi gjithashtu rrezikun e dezinformimit, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështeten te burime zyrtare dhe të besueshme për informacion shëndetësor.
OBSH rekomandon vaksinimin si masën më të rëndësishme parandaluese, sidomos për grupet më të rrezikuara si të moshuarit, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna, fëmijët dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Të dhënat e hershme nga Mbretëria e Bashkuar tregojnë se vaksina ul ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të gripit, edhe pse mund të mos parandalojë plotësisht infektimin.
Sipas OBSH-së, fëmijët në moshë shkollore mbeten përhapësit kryesorë të virusit në komunitet, ndërsa shumica e rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital janë te personat mbi 65 vjeç.
Kulmi i sezonit të gripit pritet të arrihet në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit. OBSH thekson se, ndonëse situata është e rëndë, ajo nuk përfaqëson një emergjencë globale si pandemia e Covid-19, duke nënvizuar se sistemet shëndetësore kanë përvojë, vaksina të sigurta dhe masa të qarta mbrojtëse për menaxhimin e gripit sezonal.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në disa vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermaninë, kanë paralajmëruar për një dimër shumë të vështirë për spitalet dhe shërbimet shëndetësore, për shkak të fluksit në rritje të pacientëve me grip.














