Policia ka identifikuar 3 autorët e plagosjes me armë zjarri të personazhit të TikTok, Fabion Kuçi, ngjarje e ndodhur në qytetin e Durrësit.
Blutë kanë shpallur në kërkim tre të rinjtë me iniciale A. N., 38 vjeç, banues në Durrës, F. B., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe B. Ç., 34 vjeç, banues në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:45 të datës 15 Dhjetor 2025, ku autorët janë afruar me 2 automjete te lokali në lagjen nr. 9, ku qendronte “Gucci” dhe kanë qëlluar drejt tij, me armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave “Gucci” ka mbetur i plagosur lehtë ndërsa në vijim të veprimeve për këtë rast, materialet u referuan në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se është pronar i njërit prej automjeteve që u përdorën në vendngjarje nga shtetasit e shpallur në kërkim.
“Gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit u gjetën disa fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan si provë materiale, ndërsa po punohet intensivisht për kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim”, njofton policia.














