Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së BKH-së, e cila hodhi poshtë pretendimet e tij në lidhje me armët brenda godinës së Kryeministrisë.
Pasi BKH e nxorri bllof, Rama ka vijuar me sulmet verbale teksa është munduar tju kujtojë agjentëve hierarkinë.
Ai thotë se trimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale, ndërsa shton se, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional.
“Qenka përgjigjur publikisht edhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”,- thotë Rama në reagimin e tij.
LEXO EDHE:
“Drejtësia të reflektojë”/ Rama: Ca trimosha të BKH-së më erdhën me “patllake” në Kryeministri!














