Deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka prezantuar ditën e sotme në Asamblenë Politike të PPE-së një rezolutë për luftimin e dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike.
Rezoluta sipas Vokshit synon garantimin e përfaqësimit të barabartë të grave, mbrojtjen e tyre nga kërcënimet fizike, psikologjike dhe sulmet online, dhe nxit respektimin e Konventës së Stambollit.
Vokshi theksoi se dhuna ndaj grave nuk është çështje ideologjie, por një rrezik real për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
“Dhuna ndaj grave në politikë dhe në jetën publike në Shqipëri shpesh vjen nga Kryeministri, ministrat, kryetarët e bashkive apo kolegë deputetë. Këto zhvillime tregojnë se dhuna ndaj grave nuk është problem i izoluar, por një rrezik real për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Një demokraci që përjashton gratë nuk është demokraci. Dhuna ndaj grave në politikë nuk është çështje ideologjie; është çështje lirie dhe demokracie. Frika nuk do të vendosë zgjedhjet, kriminelët nuk do të heshtin gratë dhe mizogjinia nuk do të sundojë demokracitë tona,” theksoi Vokshi.
Kërkesat kryesore të Rezolutës së EPP Women ndaj PPE-së dhe institucioneve evropiane
- Tolerancë zero ndaj dhunës kundër grave në parti, politikë, jetën publike dhe institucione
2. Mbrojtje konkrete për gratë në politikë (fizike, ligjore, psikologjike dhe institucionale)
3. Zbatim të plotë të Konventës së Stambollit
4. Ndjekje penale të dhunës politike
5. Përgjegjësi ligjore për dhunën në platformat online
6. Mbrojtje të plotë për gazetaret dhe aktivistet
7. Kushtëzim të fortë në procesin e zgjerimit të BE-së për vendet ku sundon dhuna dhe mizogjinia
Rezoluta u bën thirrje të gjitha partive, institucioneve dhe vendeve partnere që të mbrojnë dinjitetin njerëzor, lirinë e shprehjes dhe shtetin e së drejtës, duke mbrojtur gratë që mbrojnë demokracinë çdo ditë.














