Nga Basir Çollaku
“Beketi” dhe Shirak”. Zhak Shirak u dënua nga drejtësia franceze pas padisë së një qytetari në Paris për “..keqpërdorim të taksave të tij, pasi kishte punësuar pa konkurs 26 militantë të RPR, partisë së tij, kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit francez..”
Drejtësia franceze e legjitimoi kërkesën e qytetarit dhe në fund të procesit vendosi: 2 vite burg me kusht. 150 mijë euro gjobë penale. Dhe rikthim në arkën e Bashkisë së Parisit të 2.2 milionë eurove të dëmit të shkaktuar. Një milionë e 650 mijë euro i ktheu partia e tij, dhe 550 mijë euro Shirak nga xhepi.
Pyetja është, po për 110 milionë eurot e Beketit kush do të përgjgijet në Shqipëri?
Beketi kokërr leku nuk merr, vazhdojmë gjyqet, ne këndej dhe andej, do shohim fundin. Këto ishin turfullimet e hakërrimet mediatike të Edi Ramës, teksa u përsheshën të gjitha dje në Gjykatën e Apelit në Paris. Duke fikur automatin e ankesës së bërë nga qeveria shqiptare, për të anulluar vendimin e Arbitrazhit Ndërkombëtar. Duke e fundosur me një jo. Beketi do të marrë 110 milionë euro. Shto këtu edhe kamatat e vonesat ndër afro 10 vite të procesit, kapërcen fatura matanë hallit, diku të 150 milionë euro. Shuma merret duke futur duart në thesin e buxhetit, parave të shqiptarëve, jo në llogarinë individuale të djalit të Kristaqit.
Karafili ynë kryeministër, për tre sms, të tij Veliajt e Agaçit, nga 50 milionë euro një mesazh, shtron kurrizn e qytetarëve për të paguar, se vetë është marrëzisht kaluar. Ky dëm i madh, përveç atij financiar, është tregues i asgjësimit të sigurisë juridike për biznesin në vendin tonë. Janë edhe padi të tjera, në shuma më të pakta, ku rruga e humbjes është përsëritëse.
Po raporti me të vërtetën, drejtësinë në Shqipëri, kësaj ngjarje me kosto të madhe për paratë publike? A mund të qëndrohet indifferent ndaj papërgjegjshmërisë, veprimeve arbitrare të zyrtarëve publik, me pasoja të ngjashme?
Përgjësi e shërbyer si provë për drejtësinë e vendeve evropiane dhe amerikane, në këtë shqyrtim gjyqsor. Pasi prova fituese për pretendimet e Beketit në shkallët e gjykimit ndërkombëtar, ajo çfarë ka bindur çdo gjyqtar vendimmarrës, ka qenë ndërhyrja e qeverisë, me porosi të dokumentuar të Edi Ramës, për mbylljen e televizionit të biznesmenit italian. A shërbejnë këto vendime përfundimtare të drejtësisë francëze, pas asaj të Arbitrazhit, si indicie bazuar në prova, për drejtësinë shqiptare, të hetojë, e vërë para përgjegjësisë shkaktarët e këtij dëmi të madh ekonomik për vendin? Sigurisht duke ditur kush janë emrat e përfshirë, është Struktura e Posaçme me tagër të mos e shkruajë në akull këtë ngjarje.
PD ka kërkuar në Kuvend, një Komision Hetimor për këtë rast dhe mazhoranca në mbrojtje të verbër të shefit, ka rrëzuar ngritjen e një komisioni të tillë parlamentar. Ndonëse Kushtetuta e njeh domosdoshmërisht lejimin e këtyre komisioneve hetimore, socialistët ngritën kartonat kundër. Por opozita mundet të bëjë padi në emër të votuesve të saj, por jo vetëm. Të përfaqësojë me këtë akt edhe të gjithë qytetarët, natyrisht të dëmtuar, sepse janë taksapagues. Ata, pra ne, do të humbasim këtë shumë qindramilionë euro, nga sjellja jo e ligjshme e kreut të qeverisë Edi Rama…














