Dy të rinj janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi lëviznin të armatosur. Ilir Dushku, 29-vjeç dhe Bjorli Xhabrahimi, 22-vjeç u ndaluan në Mjull Bathore dhe pas një kontrolli fizik, policia iu gjeti armë. Dushkut iu gjet 1 armë gjahu teke me 29 fishekë ndërsa Xhabrahimit iu gjet një armë tjetër gjahu.
Më pas, policia ushtroi kontrolle në banesën e Ilir Dushkut, të cilit i gjeti edhe dy armë pistoletë, 1 armë e ftohtë, municion luftarak dhe një sasi e vogël kokainë. 29-vjeçari rezulton i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje dhe heqje e paligjshme lirie.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hunter”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u arrestuan shtetasit:
I. D., 29 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe B. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas u kapën gjatë operacionit, në Mjull Bathore, Tiranë, dhe gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë gjahu teke dhe 29 fishekë arme gjahu që i posedonte shtetasi I. D. dhe një armë tjetër gjahu që e posedonte shtetasi B. Xh.
Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit I. D., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 armë të ftohtë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”– njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.













