Gjykata e Apelit të Posaçëm ka shtyrë seancën e parashikuar ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Shtyrja u bë shkak i mungesës së palëve në proces, si dhe mungesës së gjyqtares së çështjes, e cila ndodhet me leje ndërsa seanca e radhës u caktua për në datën 15 dhjetor.
Kujtojmë se pak ditë më parë, më 27 nëntor, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë për lirimin e tij.
Ilir Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Ai u arrestua me urdhër të SPAK më 24 tetor 2024.
Hetimet e SPAK kanë zbuluar dyshime për përfshirjen e tij në skema lobimi të financuara me fonde të dyshimta, të cilat lidhen me pastrim parash dhe korrupsion.
Gjithashtu, ndaj tij rëndon akuza për mosdeklarim të pasurive, një shkelje që lidhet me transparencën e detyrueshme të zyrtarëve të lartë.














