Një sherr mes dy nxënësve të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës u kthye në një ngjarje tragjike. Një 15-vjeçar u plagos me thikë nga një shok i klasës, sepse sipas tyre kërkoi sqarim për fjalët fyese që kishte dëgjuar prej tij.
Ngjarja ndodhi përballë shkollës, kur një goditje e vetme preku zemrën e tij. Mjekët e shpëtuan, duke e nxjerrë nga intubimi, por gjendja shëndetësore e 15-vjeçarit mbetet kritike dhe ai është ende në monitorim intensiv.
Babai i djalit tregoi për emisionin “Me Zemër të Hapur” se situata po mbahet nën kontrolle, por kujdesi i mjekëve për zemrën dhe trurin do të përcaktojë pasojat e mëtejshme.
”Kemi dalë nga gjendja e rrezikut. Presim reagimin e trurit dhe më pas të dalim nga intubimi. Më pas do të shohim dëmtime në zemër apo në tru. Këto janë çështje të shëndetësisë dhe me detaje nuk di çfarë të shpjegoj. Por këtë e thotë mjeku i zemrës. Parametrat janë optimale. Kemi një problem të ulur, por një trajektore të mirë. Do të shihen reagimet e djalit, do të shohim maksimumi brenda dy ditëve.
Gruaja është në gjendje jo të mirë, herë qan, herë e mban veten, por na mban besimi te Zoti. Ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin në TikTok për protagonizëm. Ia lëmë dhe shtetit pjesën tjetër.”, tha ai.
Faktikisht, ky nuk është rasti i parë i tillë. Një vit më parë, 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga bashkëmoshari i tij për një sherr të ngjashëm në TikTok. Megjithatë, masa e ndërmarrë nga qeveria, si mbyllja e platformës, nuk ka dhënë efekt. Ngjarjet tragjike tregojnë qartë se problemi i dhunës mes të rinjve kërkon ndërhyrje reale dhe politika serioze sociale dhe arsimore, jo zgjidhje simbolike që nuk adresojnë shkakun.














