Kreu i Grupit Parlamentar në PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar ditën e sotme se Belinda Balluku kishte sipas tij një vend të posaçëm ku ndante tenderat korruptivë.
Në një postim në rrjete sociale, Bardhi ka ndarë një foto të Ballukut me vartësit e saj, krahas së cilës shkruan se kjo është strofulla e krimit, ku banda “2B”, siç e quan ai, ndante tenderat e paracaktuar për të shpërblyer klientët e tyre dhe përfituar përqindjet korruptive.

Sqarimi i fotos
Në krye të fotos, ai që bën selfien është Evis Berberi, ish-kreu i ARRSH, që sot ndodhet në burg për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Në të djathtë të fotos: Viola Haxhiademi (sekretare e përgjithshme e ministrisë), kryetare e komisionit të vlerësimit të ofertave në tenderim.
E dyta Vikrita Çuto (drejtoresha e burimeve njerzore e ministrisë), e treta me flokë të zeza Sindi Dushku (drejtoreshë e kabinetit të ministrisë, kushërirë e deputetes Olta Xhaçka).
Në krye të tavolinës, Ceno Klosi, pas tij Arber Avrami (ish-drejtor i Albgaz).
Më pas vjen ministrja, Florian Serjani (këshilltari për mediat) vajza brune në krah të Serjanit, Evis Mamaj (drejtoreshë e buxhetit në MIE).
Sipas Bardhit, këta zyrtarë mblidheshin rregullisht në një banesë të njohur si Apartamenti 6, Shkalla H, Kompleksi Nobis, ku ndaheshin tenderat e ministrisë për qëllime klienteliste.
Reagimi i plotë i Bardhit
“Banda e hajdutëve të Belinda Ballukut mblidhej rregullisht në strofullën e krimit “Apartamenti 6, Shkalla H, Kompleksi Nobis”, ku ndaheshin tenderat korruptivë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Banda “2B” funksiononte taman si një grup i struktuar kriminal për vjedhjen masive të parave të shqiptarëve me tendera qindra milionë euro të paracaktuar për të shpërblyer klientët e tyre dhe përfituar përqindjet korruptive. Të njëjtat para përdoreshin më pas në fushatë zgjedhor ose në harbime luksi. Një pjesë e bandës 2B tashmë ndodhet në burg, ndërsa shumë shpejt pritet t’i bashkohet edhe pjesa tjetër”.














