Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratës së Marta Kos, e cila u shpreh se “zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira”.
Berisha tha se Partia Demokratike e ka dënuar publikisht këtë deklaratë, duke e cilësuar si të frymëzuar nga propaganda e paguar e kryeministrit Edi Rama dhe nga ekstremizmi i majtë.
Sipas tij, deklarata e Kos përbën një shkelje të rëndë të ligjit të zgjedhjeve dhe ligjit kombëtar.
Ai shtoi se ka pasur një reagim nga ana e zëdhënësit të Komisionit Europian, i cili ka shprehur një qëndrim të papajtueshëm me atë të zonjës Kos. Berisha e cilësoi Marta Kos si “një adhuruese pa kushte të Edi Ramës”.
“PD pas deklaratës së zonjës Marta Kos bëri një deklaratë në të cilën ajo e dënoi publikisht dhe gjerësisht deklaratën frymëzuar të zonjës Kos nga propaganda e paguar e Edi Ramës, ekstremizmi politik i majtë apo dezinformomi si një deklaratë që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin elektoral.
Ka patur një reagim nga ana e zëdhënësit të KE që shpreh qëndrimin korrekt të papajtueshëm me qëndrimin e zonjës Marta Kos, një adhuruese pa kushte, për arsye të saj të Edi Ramës dhe bëmave dhe gjëmave të tij. Garantoj se PD mbetet e përkushtuar për proceset e integrimit evropian”, tha Berisha.














