Prej disa muajsh një valë e gjatë virozash po qarkullon në vend dhe duket se nuk po zhduket. Mjekja Valbona Shahini shpjegon se situata nuk është alarmante, por kërkon kujdes të vazhdueshëm, sidomos tek fëmijët.
Sipas saj, ndryshimet e shpeshta të motit krijojnë kushte ideale për qarkullimin e viruseve. “Nuk dimë si të vishemi, as ftohtë, as ngrohtë. Kjo i favorizon viruset,” u shpreh Shahini.
“Viroza e re nuk ndryshon shumë nga viruset klasike të sezonit. Simptomat më të shpeshta janë rrufë dhe bllokim hundësh, temperaturë nga 37 deri mbi 39°C, kollë që shpesh nis pas rënies së temperaturës, lodhje dhe dhimbje trupi.
Në disa raste mund të kalojë në infeksion bakterial që kërkon antibiotikë. Pikërisht ky kalim është momenti kur duhet kërkuar konsultë mjekësore.”
Shahini nënvizon tre elementë kyç për mbrojtjen e organizmit: veshja, ushqimi dhe hidratimi. Fëmijët duhet të vishen shtresë mbi shtresë, pa u mbinxehur dhe pa u djersitur.
Ushqimi duhet të jetë i stinës, me agrume, mollë, karota, panxhar, selino dhe fruta e perime të pasura me vitamina. Hidratimi ka rëndësi të madhe, sidomos tek pacientët me temperaturë.
Ajo rekomandon gjithashtu përdorimin e vitaminës C dhe D gjatë gjithë dimrit, për të rritur imunitetin.
Sa i përket shpërndarjes së virozave, mjekja sqaron se fëmijët nuk janë gjithmonë bartësit kryesorë. Shpesh virozat futen në shtëpi nga të rriturit që nuk shfaqin simptoma të forta, por janë bartës.
Në përfundim, Shahini bën thirrje për kujdes, por jo panik. “Stina e virozave është e gjatë. Duhet vetëm vëmendje te veshja dhe ushqimi, për të kaluar sa më lehtë këtë periudhë,” thekson ajo./A2CNN














