Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka publikuar një video nga rruga Qukës – Qafë Plloçe, e cila sot u bllokua totalisht për shkak të rrëshqitjes së një masivi të madh shkëmbor.
Në video, ku Lapaj shfaqet pikërisht në rrugën e bllokuar thotë se “jeta e qytetarëve rrezikohet kur tenderat bëhen me telefon dhe përfituesi dihet”.
Ai shtoi se për këtë rrugë janë dashur plot 14 vite për t’u ndërtuar dhe janë harxhuar 260 milionë euro.
“Kur tenderat bëhen me telefon, e kur përfituesi dihet pa u shpallur procedura, e kur hekuri mungon në beton, jeta e qytetarëve rrezikohet!
Sot fati ka dashur që një shqiptar, apo disa të kenë shpëtuar, pasi masivi i madh shkëmbor në aksin Qukës-Qafë Plloçë ka shkarë që në shiun e parë.
Kujtoj që për këtë rrugë janë dashur plot 14 vite për t’u ndërtuar dhe plot 260 milionë euro. Kjo është e papranueshme”, shprehet ai.














