Prej tre vitesh, një gropë e madhe në një nga segmentet kryesore të zonës së Astirit vijon të jetë burim problemesh serioze për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.
Defekti në rrugë është kthyer në pengesë të përditshme, duke shkaktuar dëmtime të automjeteve, bllokime në qarkullim dhe situata të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës dhe kushteve të vështira atmosferike.
Banorët thonë se kanë bërë disa herë ankesa zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës, të drejtuar nga kryetarja Anuela Ristani, por pavarësisht kërkesave të tyre, deri tani nuk ka pasur as reagim dhe as një plan konkret ndërhyrjeje.
Sipas tyre, gropa është bërë jo vetëm burim stresi dhe kostosh shtesë, por edhe rrezik real për aksidente. Komuniteti shprehet i indinjuar nga neglizhenca institucionale dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për riparimin e segmentit, duke theksuar se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet.
Banorët apelojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar cilësinë e jetës për të gjithë përdoruesit e rrugës./JOQ














