Moti i keq në vend, ka sjellë problematika të shumta dhe për fermerët, të cilët janë përballur me përmbytje të të gjithë të mbjellave të tyre.
I tillë është dhe rasti i fermerit Alush Musta, nga fshati Hingë, Bashkia Dimal, qarku Berat, ku të gjitha mandarinat e tij janë të zhytura nën ujë si pasojë e reshjeve intensive të këtyre ditëve.
Musta shprehet se sot shënohet dita e gjashtë që e gjithë prodhimtaria e tij ndodhet nën ujë.
Imazhet e sjella nga fermeri, vënë në dukje nivelin e ujit, i cili është konsiderueshëm i lartë, duke bërë të vështirë dhe kalimin përmes në tokat bujqësore.
“Këtu është tmerr tani. Këtu është katastrofë. Nuk ka shanse më të vjelësh këto mandarina”, u shpreh fermeri.
Ai bën dhe ankesë për institucionet, pasi shprehet se ka pasur mungesë të interesimit lidhur me pasojat e përmbytjeve në zonë.
“Nuk ka ardhur asnjë person që është kompetent për këtë punë. Dita e gjashtë sot, edhe Bashkia Dimal, nuk e ka marrë mundimin fare të vijë tek fermerët në fshatin Hingë”, tha ai.
Siç shprehet fermeri, dëmi llogaritet të paktën 70 milionë lekë.
“Kam 4 hektarë tokë të mbjell me mandarina dhe i gjithë malli është i përmbytur. 140 ton akoma në tokë, vetëm tre herë kam shitur deri tani, kam hequr vetëm 8 ton gjithsej. Kam dëm mbi 70 milion”, tha Musta për tvklan.al.
Fshati Hingë, pjesë e Bashkisë Dimal, është i njohur për prodhimin e mandarinave, duke i eksportuar dhe në vendet e Ballkanit.
Përgjatë 15 viteve të fundit, banorët kanë hequr dorë nga mbjellja e tokës me perime, dru frutore dhe vreshta, duke iu përkushtuar vetëm agrumeve.
Viti 2024, është mbajtur dhe si një vit prodhimi i mbarë për mandarinat e Hingës, pasi ato u tregtuan me 60-70 lekë për kilogramë, por padyshim përkeqësimi i motit në këtë sezon ka sjellë dëme të konsiderueshme për fermerët.
“As për dëmshpërblim s’e di si do shkojë halli. Unë nuk mund të futem dot as pas një muaj në tokë që të vjel mallin”, tha fermeri. /TV Klan














