Një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike është goditur nga Policia në Durrës, teksa janë arrestuar 12 persona.
Sipas Policisë, janë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht:
Fabrizzio Asllanaj, 30 vjeç (i dyshuar si organizator).
Blerim Oshafi, 32 vjeç
Aurel Prendi, 24 vjeç
Elkid Shehu, 19 vjeç
Taulant Dervishi, 36 vjeç
Fatmir Canollari, 31 vjeç
Greg Kamberi, 27 vjeç
Indrit Hadja, 35 vjeç
Sulejman Shahaj, 58 vjeç
Indrit Dakavelli, 38 vjeç
Mariglen Keçi, 29 vjeç
Vladimir Shehu, 20 vjeç
Dhe shtetasit Mariglen Keçi, 29 vjeç, dhe Vladimir Shehu, 20 vjeç, në ngarkim të të cilëve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë, 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë, 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë, 3 armë të ftohta (thika), 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.
Materialet procedurale, në ngarkim të personave të mësipërm, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.














