Nga Boldnews.al
Në ditën kur Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi që të pezullonte nga detyra dhe t’i bllokonte pasaportën numrit dy të qeverisë, opozita në shenjë “revolte” vendosi t’i kthejë shpinën kryeministrit në Parlament dhe të largohej nga salla kur fjalën e mori e pandehura Belinda Balluku. Kreu i qeverisë u ndje komod, pasi heshtjen e opozitës dhe gjestin e kthimit të shpinës më shumë se revoltë e mori për nënshtrim të saj.
Përtej sjelljes opozitare që nuk preferoi përballjen por “injorimin”, kryeministri Rama sot është në hallin më të madh që e ka vetëm një zyrë më larg se e vetja. Rama e ka të qartë se situata nuk është në favor. Koncepti thelbësor që ai ka për grupet kriminale duke u shprehur “hëngshin kokat e tyre”, po i kthehet në oazin e tij qeverisës, pa pasur ende nën kontroll një “bandë qeveritare” kundër një “bande tjetër” po qeveritare, tashmë të etura për shumë koka.
Ballë Ramës doli Balluku. Së pari ajo ka treguar se nuk është si Lali, që edhe në qeli bën duva për liderin e shpirtit që e ka bërë hallall burgun e rëndë, madje duke duruar edhe prepotencën e “katundarit Manja”- sikurse e thonte vetë Veliaj në një telefonatë të përgjuar. Rasti Bela është ndryshe. Pas njoftimit se Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte vendosur “pezullim nga detyra dhe bllokim pasaporte nën akuzën shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, Balluku takoi kryeministrin Rama. Nuk është një takim që mbyllet me një dorëheqje dhe “kërkimi falje”, sepse ata janë një!
Zënëndëskryeministrja Balluku u mor e pandehur fillimisht për tenderin e Tunelit të Llogarasë. Me një të rënë lapsit, kjo aferë firoi 50 milionë euro, por përtej shifrës që gjithsesi quhet abuzim, fshihet një interes “gjeostrategjik”, që Rama e realizoi duke përdorur dorën firmëtare të Ballukut.
Kompania turke që u kopsit me letra si ndërtuese e kësaj vepre, por nuk bëri asgjë përveçse mori 50 milionë euro badihava, cilësohet si kompani e afërt me presidentin turk Erdogan. E njëjta kompani qe pjesë e ndërtimit të Spitalit Memorial të Fierit, që kryeministri Rama e përdori aq shumë për fushatën elektorale të vitit 2021. Haraçi do kthehej pasi ska qafir që merr qyl gjithçka.
Afera e Tunaelit të Llogarësë dorën firmëtare ka Ballukun, por ideaotori është vetë Rama, çka nuk e ka fshehur edhe në një takim të mbajtur në Turqi me përfaqësuesit e kompanisë që dy javë më vonë dolën fitimtarë nga hiçi. Dukshëm Balluku nuk ka për të mbajtur në shpinë kusure që i takojn atij tjetrit, pasi i mjaftojnë e teprojnë kusuret e saj. Kjo e tremb Ramën. Çdo gropë që hap për të vetët në ndonjë çast aty ku nuk e poret do bjerë edhe vetë brenda dhe rasti qështë një zyrë më larg…
Po opozita? Deri më tani partia më e madhe opozitare PD ka vendosur të qëndrojë e tulatur, me disa qëndrime të vakëta dhe mbi të gjitha pa një ide të qartë për të shfrytëzuar çdo mundësi që i jepet nga aferat e shumta të qeverisë. Në një situatë të tillë çdo opozitë do preferente përballjen dhe jo kthimin e shpinës.
Revolta tek qytetarët është e madhe, por fakti që nuk dalin të shfryjnë pakënaqësinë që vjen nga vjedhja e të ardhmes së fëmijëve të tyre, është një tregues që ka diçka që nuk shkon edhe me opozitën. Para se të numërojë me gisht pjesëmarrësit në tubim, të kthejë gishtin nga vetja, për të mos i qëndruar Ramës me shpinën kthyer dhe anash arenës ku gladiatorët e pushtetit janë gati t’i ngulin shpatat njëri-tjetrit, pikërisht me atë shpatë që kanë vrarë shpresën qytetare, me hajni e krim!













