Kryebashkiakja e Roskovecit, Majlinda Bufi, u mor e pandehur nga SPAK për veprën penale “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”.
Lidhur me këtë ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e cilësoi vendimin si një hap pozitiv për qytetarët e Roskovecit.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi tha se marrja e Bufit të pandehur për krime elektorale është vetëm një prej shkeljeve që, sipas tij, ajo ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
“Më në fund kriminelja elektorale Majlinda Bufi, do të përballet me pasojat e një pjese të krimeve të saj.
Marrja e pandehur për krime elektorale është vetëm një prej shkeljeve të shumta të kryera prej saj në ushtrimin e detyrës si Kryetare e Bashkisë së Roskovecit.
Duke u konfirmuar ajo që kemi thënë prej ditës së parë se në Fier, Partia Socialiste u shndërrua në një bandë elektorale të mirëfilltë. Fillim i mbarë, por i pamjaftueshëm”, shprehet Bardhi.
SPAK e akuzon Bufin sipas nenit 328/a/3 të Kodit Penal – “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike” – një vepër që lidhet me shfrytëzimin e pushtetit vendor për interesa politike dhe jo institucionale.
Sot, dosja është regjistruar zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme, duke vulosur përfundimin e hetimit dhe kalimin e çështjes në fazën e gjykimit.













