Gjykata e Lartë ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën për ulje dënimi të Aldo Bares, i njohur ndryshe si i forti i Lushnjes.
Edhe pse Bare, është i dënuar me burg të përjetshëm, ai ju drejtua gjykatave për ulje të dënimit me 45 ditë mbasi ishte sjellë mirë në qeli.
Kjo padi e Bares nuk ishte pranuar nga gjykatat e tjera dhe për këtë shkak ju drejtua Gjykatës së Lartë por kjo e fundit ka rrëzuar kërkesën.
Aldo Bare u arrestua në mars 2006 në Ankara të Turqisë dhe u ekstradua në Shqipëri në nëntor 2009. Ai ishte në arrati për më shumë se një dekadë dhe akuzohet për kryerjen e krimeve të shumta.
Prokurorët e Zyrës së Krimeve të Rënda Tiranë e akuzuan për pesë akuza për vrasje, krijim të organizatës kriminale, shkatërrim prone, përdhosje varresh dhe trafik ndërkombëtar droge.
Banda e tij ishte bërë e tmerrshme në Lushnjë në vitin 1997. Madje në vitin 1997 ai u akuzua se i preu kokën njërit prej kundërshtarëve të tij, Artur Dajës dhe ecte duke mbajtur kokën nëpër qytet.
Grupi kriminal i Aldo Bares u akuzua gjithashtu për urdhërimin e vrasjes së oficerit të policisë Klejdi Bano në vitin 2001 dhe një sërë sulmesh në shtëpitë e drejtuesve të ndryshëm të policisë, që po hetonin veprimtarinë e tij kriminale.
Ai akuzohet gjithashtu për vrasjen e një agjenti të shërbimit sekret në vitin 1998 dhe po atë vit për vrasjen e nënkryetarit të bashkisë Lushnjë, Drago Voshtima. Bashkëpunëtorët e tij kryesorë janë arrestuar në Shqipëri dhe Itali vitet e fundit dhe janë dënuar me burgime të gjata.














