Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u mbyll të mërkurën seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, për procedimin disiplinor ndaj prokurores së Sarandës, Besiana Sadikaj. Inspektorja e ILD-së, Lindita Ziguri u qëndroi parashtrimeve për shkelje nga ana e Sadikajt të rregullave e solemnitetit të sjelljes në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administrates, si dhe u kërkua të caktohet masa vërejtje publike. Sadikaj i kundërshtoi si të pabazuara e të padrejta pretendimet dhe kërkimet e ILD-së.
Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj u fillua bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, i cili shkarkua në gusht nga detyra prej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Po ashtu, edhe Sadikaj depozitoi gjashtë ankesa ndaj Llahos, bazuar në të cilat KLP caktoi më parë dy masa disiplinore ndaj tij.
Sipas ILD-së, Sadikaj rezulton se ka kryer veprime në kundërshtim me standartet e etikës, që konsiderohen sjellje të padenja, të pahijshme, pa vetëpërmbajtje, si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia në marrëdhënie me drejtuesin dhe personelin e administratës. ILD parashtroi se sjellja është kryer në zyrën e drejtuesit dhe për rrjedhojë nga gjasa të ndiqet dhe nga magjistratët e tjerë të së njëjtës zyrë.
Po ashtu, u ngritën pretendime dhe për kontrollin e kryer në kompjuterat e oficerëve të policisë gjyqësore. Gjatë seancave të mëparshme dëgjimore, u pyetën në cilësinë e dëshmitarit dhe oficerë, lidhur me mënyrën e aksesimit të kompjuterave nga prokurorja Sadikaj.
Në seancën të mërkurën, Sadikaj parashtroi se pretendimet dhe kërkimi ILD-së bazuarohet në deklarimet e ish-drejtuesit të prokurorisë dhe dy hetuesve, që sipas saj janë subjektivë. Ajo I cilësoi deklarimet e tyre të rreme dhe fyese. Po ashtu, solli në vëmendje se kanë qenë pesë oficerë dhe se nuk e di arsyen përse nuk janë pyetur dhe tre të tjerët. “Të dy ata që janë thirrur e janë yetur, kanë keqintepretuar situatën e kompjuterave”, nënvizoi Sadikaj dhe sqaroi se kontrollin e ka ushtruar për arsye se ka pasur një defekt teknik dhe se ka mësuar që një akt që kishte hartuar ajo vetë, ishte shfaqur pa arsye në një tjetër kompjuter.
Ajo theksoi se në deklarimet e atyre që janë pyetur ka kundërthënie, pasi njëri prej tyre njëherë ka deklaruar se ka pasur dijeni për arsyen e kontrollit të kompjuterit, ndërsa herën tjetër ka mohuar të dinte arsyen.
Sadikaj e cilësoi të papërshtatshëm termin e inspektores së ILD-së, se ka hyrë në zyrën e ish-drejtuesit si “e paftuar”. Ajo pretendoi se nuk është konsideruar deklarimi i ish-drejtuesit i cili I ka thënë se nuk del me dosje nga zyra dhe i ka tërhequr dosjet e saj me forcë. Sadikaj pohoi se ato dosje ishin të sajat dhe mbarin emrin e saj. Në vijim, shpjegoi se në e-mailin e parë që i kishte dërguar eprorit, i kishte shënuar se duhej të mbante përgjegjësi për dhunën që kishte ushtruar ndaj saj dhe tek i dyti e kishte cilësuar komunikimin e tij fyes dhe denigrues.
Ajo shtoi se nuk është verifikuar nga ana e ILD-së, as fakti se përse ata fashikuj që i janë marrë me forcë janë mbajtur aq gjatë në zyrën e ish-drejtuesit.
Pretendimin e ILD-së se sjellja e Sadikajt do te ndikojë keq në edukimin e magjistratëve të rinj, u konsiderua prej saj si një shkelje flagrante e të drejtave.
Prokurorja Besiana Sadikaj pretendoi se ILD nuk ka konsideruar ankesat dhe shpjegimet e saj dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës për caktim mase disiplinore.
Inspektorja Ziguri vërejti se aktet dhe ankesat e dorëzuara nga subjekti nuk janë objekt i këtij hetimi disiplinor dhe prandaj nuk janë përmendur. Sipas saj, po verifikohen në kuadër të një tjetër procedure.
Këshilli deklaroi përfundimin e seancës dëgjimore dhe u tërhoq për të marrë vendim që do të shpallet në një prej seancave pasardhëse./ BIRN














