Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën më 12 nëntor pushimin e çështjes së vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Julian Haxhiu, për shkak të heqjes dorë nga shkaqet e ankimit prej drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.
Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqësoi drejtuesin e SPAK në këtë çështje, deklaroi në seancë se hiqnin dorë nga shkaqet e ngritura në ankim prej Komisioneres Publike, Irena Nino, që kishin të bënin me përfitimin e një kredie të butë përmes veprimeve në dukje fiktive, si dhe lidhur me mosdeklarimin e një sipërfaqe toke bujqësore.
Sipas Xholit, nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se në momentin e aplikimit për përfitimin e kredisë së butë, subjekti ka figuruar në certifikatë familjare vetëm me bashkëshorten dhe se nuk mund të lidhet me pasuritë e prindërve. Po ashtu, janë rrëzuar dyshimet për veprime fiktive apo simuluese për përfitimin e kredisë, pasi transaksionet kanë sjellë efekt juridik.
Lidhur me pretendimet e Komisioneres Publike, për mosdeklarimin e tokës, Xholi konstatoi se, toka ku bashkëshortja kishte pjesë takuese ishte shitur në vitin 2014, nga për rrjedhojë nuk ka pasur detyrim për deklarimin e asaj pasurie në deklaratën veting, që është plotësuar më vonë.
Duke i konsideruar shkaqet të paplotë, është vendosur heqja dorë nga ankimi.
Gjyqtari Julian Haxhiu deklaroi se kishte paraqitur në Kolegj parashtrime të detajuara për çdo shkak ankimi. Nisur nga heqja dorë prej shkaqeve nga ana e drejtuesit të SPAK, Haxhiu kërkoi pushimin e çështjes dhe lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit për konmfirmimin e tij.
Duke iu referuar dhe praktikës së mëparshme, Kolegji vërejti se pas heqjes dorë nga ankimi, nuk mbetet objekt për t’u shqyrtuar dhe për rrjedhojë u vendos pushimi i çështjes, nga për rrjedhojë, vendimi i Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Haxhiu mori formë të prerë./BIRN














