Në kundërshti me të dhënat ndërkombëtare që e rendisin Shqipërinë mes vendeve me kriminalitetin më të lartë në rajon, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë raportimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deklaroi se Shqipëria është një vend i sigurt.
Ministrja theksoi se vrasjet janë reduktuar nga 41 në 29 nëntëmujorin e fundit, ndërsa zbulueshmëria e veprave penale ka arritur mbi 94%.
“Shqipëria është një vend i sigurt, dhe kjo faktohet nga çdo raport ndërkombëtar. Shqipëria ka dalë nga të gjitha listat e zeza.
Kemi rritur ndjeshëm sigurinë, duke arritur 94% zbulueshmëri për veprat penale. Në 20,19% të tyre janë zbardhur plotësisht. Janë konfiskuar dhe sekuestruar 65.5 milionë euro me burim nga kriminaliteti. Është ulur numri i krimeve të rënda, në nëntëmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 vrasje me dashje, nga 41 që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. –tha ajo ndër të tjera.
Megjithatë, të dhënat ndërkombëtare japin një panoramë krejtësisht të ndryshme. Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025 e rendit Shqipërinë mes vendeve me nivel të lartë kriminaliteti në rajon, me një mesatare prej 5.20 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10.
Raporti evidenton se grupet kriminale shqiptare kanë ndikim të fortë në ekonominë dhe politikën vendase, si dhe shtrirje rajonale e globale në trafikun e drogës dhe emigrantëve.
Gjithashtu edhe për shqiptarët, perceptimi i pasigurisë mbetet i lartë, sidomos në raport me korrupsionin, trafikun e drogës dhe ndikimin e grupeve kriminale.














