Një studim i publikuar në revistën prestigjioze britanike BMJ ka hedhur poshtë pretendimet se përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë mund të lidhet me autizmin apo çrregullimin e hiperaktivitetit me deficit vëmendjeje (ADHD) tek fëmijët.
Sipas studimit, i cili ka analizuar të gjitha provat shkencore ekzistuese deri më sot, “nuk ka evidenca që ekspozimi i fetusit ndaj paracetamolit ndikon në zhvillimin e autizmit apo ADHD-së”.
Autorët theksojnë se të dhënat aktuale nuk mbështesin asnjë lidhje të tillë dhe se cilësia e disa studimeve që kanë sugjeruar ndryshe është “e ulët” ose “shumë e ulët”.
Këto rezultate vijnë pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili muajt e fundit ka deklaruar publikisht se ekziston një lidhje mes përdorimit të paracetamolit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut të autizmit tek fëmijët.
Në shtator, Trump madje u bëri thirrje grave shtatzëna të shmangin përdorimin e këtij ilaçi.
Komuniteti shkencor ka reaguar menjëherë, duke hedhur poshtë pretendimet e tij. Mjekët kujtojnë se paracetamoli është qetësuesi i rekomanduar për gratë shtatzëna, për dallim nga aspirina apo ibuprofeni, të cilët dihet se mund të kenë efekte të dëmshme për fetusin.
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka theksuar se nuk ekziston asnjë provë që lidh përdorimin e paracetamolit me zhvillimin e autizmit.












