Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka dhënë detajet e fundit sa i përket procesit të zgjedhjeve të pjesshme lokale, në 5 bashki të vendit, Mat, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Vlorë.
Ai u shpreh se pjesëmarrja më e madhe ishte nga qytetarë mbi 65 vjeç duke theksuar mungesën e ndjeshme të të rinjve në procesin zgjedhor.
“Grupmosha e votuesve mbi 65 vjeç kanë përqindjen më të madhe të pjesëmarrjes. Sa i përket pjesëmarrjes së ulët të votuesve në moshë të re, është një trend edhe në shtete të tjera që nuk kanë ndonjë trend të madh për të votuar”,- tha Celibashi.
Ai shtoi se janë evidentuar dy problematika gjatë procesit zgjedhor deri më tani në Vlorë dhe Cërrik.
“Është raportuar për dy problematika, një në Cërrik, për sjelljen e një vëzhguesi, por jemi duke e verifikuar nëse ky vëzhgues ka qenë duke parë se për kë po votonte votuesi. Në Vlorë, ka patur një diskutim ndërmjet kryetares së QV me operator për procedurat e identifikimit. KQZ po e verifikon se cila ka qenë zgjedhja e secilit prej këtyre dy funksionarëve”, tha Celibashi.














