Gjykata e Posaçme po dëgjon dëshmitarët e radhës të kërkuar nga SPAK në procesin ndaj të akuzuarve të dosjes “Plumbi i artë”.
Në seancë dëshmoi mjeku Julian Malaj, i cili ka vizituar Nuredin Dumanin pak para se ky i fundit të arrestohej. Në dëshminë e tij, Malaj tregoi para trupit gjykues se ishte thirrur për një vizitë në shtëpi, pa e ditur paraprakisht se tek kush do të shkonte.
“Në 2022 kam qenë kirurg. Ka qenë ora 09:30. Më ka marrë dikush dhe më kërkoi për një vizitë në shtëpi. Më mori dikush, që çalonte e me çoi në ca rrugica që nuk po i kuptoja. U futëm në një garazh e pastaj në një apartament. Më thanë që çfarë do shikosh atje nuk do tregosh. Kur shkuam në apartament, ishte një person me fasho në kurriz. Ishte një kaçurrels. Unë thashë, që ky është për operacion. Ai kishte një plagë me armë zjarri, plumb që ishte futur, por nuk kishte dalë. Apartamenti ishte kati i pestë me ashensor, por nuk di ta them se ku ishte”, deklaroi Malaj.
Ai shtoi se në apartament ndodheshin edhe një vajzë dhe një person tjetër i identifikuar si Bërdalla, që sipas tij “kishte një laborator”. Mjeku theksoi se vizita zgjati më pak se një minutë dhe se më pas u largua me frikë.
“Kur shkova në spital pashë një mjet që më vinte nga pas. Edhe në shtëpi shkova me frikë. Nuk fola me personin që ishte i plagosur”.














