Jemi në Kamëz, aty ku tre vëllezër janë përplasur me njëri-tjetrin për shkak të një biznesi inertesh dhe materialesh ndërtimi që njëri prej tyre ka ngjitur me banesat e dy të tjerëve, duke u shkaktuar shqetësime për shkak të pluhurit dhe zhurmave që vijojnë pa ndalur nga mëngjesi në darkë.
Islam dhe Shemsi Brahilika kanë tentuar disa herë që të bisedojnë me vëllain për të gjetur një zgjidhje, por siç shprehen ata çdo diskutim ka përfunduar në sharrje dhe ofendime dhe pa asnjë zgjidhje konkrete.
Duke qenë se me vëllain nuk janë marrë vesh, Shemsiu dhe Islami i janë drejtuar disa herë Bashkisë së Kamzës me shpresën se aty do të merrnin jo vetëm përgjigje, por dhe një zgjidhje.
Por mesa duket nuk paska qenë e thënë pasi as aty nuk morën zgjidhje, dhe pse në një moment, pas një takimi që kishin patur me kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli, ku ky i fundit kishte urdhëruar drejtorin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territiorit, Jeton Danin për të kryer verifikime dhe për t’i dhënë zgjidhje, përfundoi pa asgjë.
Kështu, ata iu drejtuan Prokurorisë, ku dhe ky organ shprehej se nuk kemi të bëjmë me një vepër penale duke ia lënë në dorë institucioneve vendore, pra Bashkisë së Kamzës dhe IMT në varësi të saj.
Vetë drejtori i IMT, Jeton Dani në një takim të zhvilluar me vëllezërit, e pranon situatën, por sipas tij, Shemsiu dhe Islami mund ta merrnin në telefon kur të donin për këtë problem por gjithmonë para orës katër, pasi pas orës katër ai nuk ishte në punë.
Pra hajde merre vesh këtë drejtor.
Të gjendur përballë kësaj situate, vendosëm të takojmë kryetarin e bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, por ky i fundit jo vetëm që nuk jep zgjidhje por shtyn dhe ofendon para kamerave qytetarët që i kishin zënë derën. Ndërkohë që dhe sot që flasim situata mbetet e njëjtë, zhurma dhe pluhuri vijojnë pa ndalim./ Emisioni “Piranjat”













