Mazhoranca ka rrëzuar në Kuvend kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 Majit dhe për skandalin “McGonigal”.
Pas debatit në sallë, opozita vendosi të largohet nga seanca plenare duke theksuar se moslejimi i ngritjes së komisioneve hetimore bie ndesh me nenin 77 të Kushtetutës, që garanton të drejtën e pakicës parlamentare për të kërkuar hetime mbi çështje të interesit publik.
Sipas opozitës, largimi i deputetëve nga salla e Kuvendit u bë në shenjë proteste ndaj shkeljes së hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
Më pas, demokratët kanë dalë dhe me një reagim zyrtar për mediat, ku thonë: “Zgjedhjet e 11 majit morën damkën përfundimtare si farsë elektorale në një raport prej 45 faqesh. Faqezitë e kriminelët që dhunuan ato zgjedhje e i shndërruan në farsë, refuzuan qoftë dhe një debat për raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në parlament, dhe tani shkelmojnë një të drejtë kushtetuese të atyre që përfaqësojnë qindra mijëra shqiptarë me votë të dhunuar në këtë vend. Ky është një ndër aktet më të rënda në historinë e vendit, dhe unë ju garantoj se ne do të bëjmë çdo betejë për të rikthyer votën e lirë dhe se për këtë vendim ju vetëm sa firmosni fundin e këtij parlamenti. Ne nuk kemi njohur zgjedhjet. Nuk kemi njohur rezultatin e tyre. Komuniteti ndërkombëtar i damkosi si zgjedhje që shkelën në mijëra raste ligjet e vendit. Shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta. Që përdorën të gjithë mekanizmat e një diktature autokratike për të deformuar rezultatin e tani keni frikë nga mijëra e mijëra fakte që ne disponojmë për t’iu paraqitur shqiptarëve si ishte farsa. E ju besoni se duke na bllokuar ne të drejtën kushtetuese do të mund të kapërceni këtë. Kurrë jo! Ne do ju përgjigjemi.”
Ndërkohë, lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend, PD ka thirrur nesër një mbledhje të grupit parlamentar.
“Të nderuar kolegë,
Nesër, e premte datë 31 Tetor, ora 12:00, mbledhje e posaçme e Grupit Parlamentar të PD lidhur me situatën e krijuar sot në Kuvend me mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës. Lutem të mos ketë asnjë mungesë për shkak të rëndësisë së mbledhjes.” – është mesazhi që u është dërguar deputetëve të PD-së.
 
	    	















