Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka një pasuri të konsiderueshme. Nga deklarimet e siguruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Sejko rezulton si një nga zyrtarët më të pasur në vend.
Deklarata e parë e Sejkos është bërë për vitin 2014. Ai ka deklaruar fillimisht tre apartamente. Një apartament me sipërfaqe 104 m2 në Tiranë, apartament me sipërfaqe 65 m2 në Tiranë dhe po një tjetër apartament me sipërfaqe 70.2 m2 në kryeqytet.
Sejko ka deklaruar se të tre apartamentet i ka dhuratë nga babai. Po ashtu, ai ka deklaruar se në vitin 2013 ka blerë një apartament në Durrës me vlerë 103 mijë euro, në bashkëpronësi me bashkëshorten.
Nga ana tjetër, bashkëshortja e tij është bashkëpronare e një apartamenti banimi dhe i një pjese toke në Sarandë. Kjo e fundit, e trashëguar nga babai. Sejko ka deklaruar një depozitë bankare me afat 12-mujor, 260.000 euro, pjesë e regjimit martesor. Po ashtu ka deklaruar dhe dy depozita të tjera me vlerë 75 mijë dollarë dhe 37.5 mijë euro.
Pavarësisht se ka gjithë këto para, Sejko sërish ka marrë kredi bankare. Ai ka deklaruar kredi bankare së bashku me bashkëshorten marrë më 21.09.2006 me principal 80.000 euro. Dhe një tjetër kredi së bashku me bashkëshorten marrë më 17.09.2008 me principal 52.000 euro.
Në vitin 2015, pasi mori detyrën, Sejko ka deklaruar shtim të 2 llogarive bankare me 25.000 dhe 39.395 dollarë. Ndërsa një tjetër llogari bankare është pakësuar me 37.532 euro. Viti 2016 ka sjellë ndryshime të shumta në pasurinë e guvernatorit Sejko, pasi të ardhurat e tij vetëm janë shtuar.
Përveç pagës së tij dhe të bashkëshortes, ai ka deklaruar shtim të një llogarie bankare me 2.8 mijë euro. Një tjetër llogari është shtuar me 55 mijë dollarë, ndërsa një llogari rrjedhëse është shtuar me 15.565 euro. Në vitin 2016 ka nënshtruar një kontratë sipërmarrje për blerje apartament banimi me sipërfaqe 209 m2 në Tiranë, për të cilën është paguar kësti i parë prej 87.780 euro përmes kredisë së marrë dhe janë ende pa paguar 204.820 euro.
Në 2016 është shlyer një kredi prej 80 mijë euro, ndërsa në bankën ku punon Sejko ka marrë 11.400.000 lekë kredi. Në deklarimin e vitit 2017, ai ka deklaruar depozitë në Societe General Albania, pakësuar me 93.415 euro; depozitë në Societe General Albania dyemërore, +1.315 USD; Llogari në Societe General Albania, +56.682 lekë; Llogari në Societe General Albania, +14.604 euro dhe llogari e pagës në në Societe General Albania, 1.514.146 lekë.
Interesant është fakti se Sejko ka marrë 10 mijë euro nga dietat për udhëtimet e tij jashtë vendit. Në 2017 ka deklaruar dhe vijimin e shlyerjes së kredive.