Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalën e saj në Kuvende cakuzoi mazhorancën për kufizim sistematik të hapësirës opozitare dhe përpjekje për të heshtur zërin e saj në parlament.
Tabaku denoncoi se i është mohuar e drejta për debat dhe për të drejtuar pyetje drejtpërdrejt drejtuesve të institucioneve të pavarura, si Prokurori i Përgjithshëm dhe Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ajo theksoi se rregullorja parlamentare i garanton këtë të drejtë, duke kundërshtuar praktikën e dorëzimit të pyetjeve me shkrim, të cilën e cilësoi si “kthim të parlamentit në kuti postare”.
“Parlamenti nuk është kuti postare, por sallë debati,” deklaroi Tabaku, duke shtuar se “është bërë dy muaj që ka filluar parlamenti, s’kam dalë dot akoma në atë foltore. Akoma nuk ka folur asnjë deputet i opozitës.”
Deputetja kritikoi ashpër një manual procedure të miratuar nga mazhoranca, të cilin e lidhi me ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe e cilësoi të pavlefshëm, pasi nuk është votuar nga opozita.
Ajo akuzoi drejtuesit e Kuvendit se po i heqin opozitës gradualisht të gjitha mjetet e kontrollit parlamentar, duke përfshirë komisionet hetimore, interpelancat dhe mocionet me debat.
Në një apel të drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, Tabaku tha: “Mos e ktheni në bunker parlamentin e Shqipërisë. Na lejoni kohën tonë si opozitë të flasim, s’ka vdekur njeri nga fjala.”
Në përgjigje të akuzave, drejtuesi i seancës deklaroi shkurtimisht se nga 24 orët e ditës, vetëm 7.5 orë janë hequr nga dispozicioni i deputetëve, duke lënë të kuptohet se pjesa tjetër e kohës është e disponueshme për debat.














