Qeveria Rama ka hartuar një kuadër ligjor për rregullimin e veprimtarisë së lobimit. Iniciativa për miratimin e këtij projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të avancimit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe përkatësisht në Pozicionin e Përbashkët Negociues të BE-sëpër Shqipërinë për Grupkapitullin “Themeloret”.
Mesa duket, Rama po përdor një vegël që do i lejojë abuzimet, por këtë herë me ‘transparencë’.
Problemi i Shqipërisë, siç e vërejnë edhe raportet e DASH dhe të BE, nuk është mungesa e ligjeve dhe vendimeve, por fakti se ato ose nuk zbatohen, ose ‘zbatohen’ sipas interesave të kryeministrit dhe rrethit të tij të ngushtë.
Çështja e lobimit është shumë delikate dhe kontroverse edhe në vende të zhvilluara dhe me institucione dhe mjete kontrolli shumë më të forta se në Shqipëri.
Njoftimi zyrtar:
Qeveria shqiptare harton për herë të parë një kuadër ligjor për rregullimin e veprimtarisë së lobimit, ku synon të vendosë rregulla të qarta për ndërveprimin ndërmjet zyrtarëve publikë dhe subjekteve private.
Iniciativa për miratimin e këtij projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të avancimit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe përkatësisht në Pozicionin e Përbashkët Negociues të BE-së për Shqipërinë për Grupkapitullin “Themeloret”.
Projektligji “Për lobimin” ka në fokus ndërveprimin midis palëve të interesuara si bizneset, organizatat e shoqërisë civile apo grupet e ekspertëve nga njëra anë dhe vendimmarrësve publikë nga ana tjetër, duke garantuar që proceset e politikëbërjes të jenë transparente dhe të gjurmueshme.
Përcaktohet qartë një kuadër i qartë rregullash për ushtrimin e veprimtarisë së ndikimit në proceset publike të vendimmarrjes, duke parashikuar detyrimin për regjistrim të çdo individi apo subjekti juridik që angazhohet në lobim, si dhe deklarimin periodik të burimeve financiare dhe shpenzimeve çdo gjashtë muaj.
Nëpërmjet këtij projektligji do të vendoset detyrimi për raportim të saktë dhe të rregullt mbi aktivitetet e lobimit, respektimi i Kodit të Sjelljes dhe të parimeve etike profesionale, si dhe deklarimi i konfliktit të interesit duke e kthyer lobimin në një proces të ligjshëm, të hapur dhe në shërbim të interesit publik.
Në thelb të kësaj nisme qëndron parimi i transparencës dhe parandalimit të korrupsionit.
Përmes regjistrit publik të lobimit, çdo kontakt, kontratë apo shpenzim lobimi do të jetë i deklaruar dhe i verifikueshëm, duke e bërë të mundur gjurmimin e burimeve të ndikimit dhe të interesave të përfaqësuara.
Projekt-ligji vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve të lobimit, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë që zhvillojnë takime apo komunikime me lobistë, si dhe kufizime për ish-zyrtarët e lartë publikë në lidhje me ushtrimin e veprimtarisë së lobimit pas përfundimit të funksionit të tyre.
Ky proces reformues do të ndihmojë jo vetëm në krijimin e një mjedisi më transparent për funksionet publike, por edhe në forcimin e standardeve të besueshmërisë institucionale, që përbëjnë një shtyllë thelbësore të procesit të integrimit evropian, duke mundësuar kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt forcimit të integritetit publik dhe konsolidimit të mirëqeverisjes.
Miratimi i këtij projektligji do ta pozicionojë vendin tonë në një linjë të qartë përafrimi me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur, transparencën dhe integritetin publik.














