Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin “arrest në burg” të GJKKO për Sabah Nuzin, i cili u arrestua në shtator të këtij viti me urdhër të SPAK për vrasjen e Klevis Lleshit.
SPAK zbardhi vrasjen e 22-vjeçarit Klevis Lleshi në shtator të këtij viti duke çuar në arrestimin e 3 personave dhe shpalljen në kërkim të porositësit.
Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi, vrasësi i cili është paguar nga porositësi Aurel Hoxha 50 mijë euro për eliminimin e 22-vjeçarit, Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, të cilët u arrestuan në Itali dhe kanë pasur rolin e ndërmjetësit dhe ndihmësit në vrasje.
Sabah Nuzi, i akuzuar nga SPAK si vrasës me pagesë, ashtu si familja Lleshi, është nga Burreli, dhe mendohet që me Klevisin, të cilin e vrau e më tej e groposi, të ketë pasur edhe njohje e miqësi.
Si nisi hasmëria mes fisit Lleshi dhe Hoxha?
Agim Hoxha u gjet i shkrumbuar në makinën e tij në Britaninë e Madhe. Ekspertiza tregoi se 29-vjeçari ishte vrarë në një tjetër vend, më pas ishte vendosur në makinën e tij dhe i ishte vënë flaka për të zhdukur trupin. Ai jetonte dhe punonte prej vitesh në Londër bashkë me Arben Lleshin, një miqësi e kultivuar që në vendlindje, por që u prish më vonë.
Mediat britanike shkruanin në atë kohë se dyshja kishin pasur konflikte për pazaret e drogës në të cilët ishin përfshirë dhe aktivizuar në Londër. Autoritetet britanike vunë në pranga Arben dhe Afrim Lleshin. Ky i dyti u akuzua për çorientim të autoriteteve pasi deklaronte se në kohën që ishte vrarë Agimi, Arbeni ndodhej me të. Por presioni bëri që Arben Lleshaj të pranonte krimin e kryer, megjithëse refuzoi ta kishte djegur trupin brenda në makinë.
Lleshi është dënuar me 32 vite burg dhe në vitin 2016 u ekstradua drejt Shqipërisë për të shlyer 28 vitet e mbetura. Por, ndërkohë që Lleshi kishte marrë dënimin nga drejtësia, familja Hoxha s’e fali! Kështu nisi dhe hakmarrja. Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi, babai i të riut që iu gjet sot trupi. Xhavit LLeshit iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’.
Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Në 5 gusht të vitit 2020, është parë për herë të fundit Klevis Lleshi i gjallë. Atë mesditë, Lleshi ka humbur kontaktet me çdo njeri dhe trupi i tij është gjketur vetëm 2 vite më vonë i groposur. Goditja e fundit e fisit Hoxha ndaj fisit Lleshi ishte në dhjetor të vitit 2023. Kjo pasi në burgun e Peqinit ku ndodhej Arben Lleshi, i dënuar me 32 vite burg, arritën që ta vrasin.