Hamasi ka liruar zyrtarisht të gjitha pengjet izraelite, pas dy vjetësh robëri, në një fazë të parë marrëveshjeje historike paqeje në Lindjen e Mesme, ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Shtatë pengjet e para janë dorëzuar te Forcat e Mbrojtjes së Izraelit nga Kryqi i Kuq.
Familjet dhe miqtë e pengjeve shpërthyen në brohoritje të tërbuara, ndërsa kanalet televizive izraelite njoftuan se pengjet ishin në duart e Kryqit të Kuq.
Dhjetëra mijëra izraelitë po shikojnë transferimet në shfaqje publike në të gjithë vendin, me një ngjarje të madhe që po mbahet në Tel Aviv.
Hamasi ka thënë se 20 pengje të gjalla do të shkëmbehen me më shumë se 1 mijë e 900 të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Disa familje dhe oficerë sigurie të Autoritetit Palestinez kanë filluar të mblidhen ndërkohë në Ramallah, për të pritur lirimin e të dashurve të tyre nga burgjet izraelite.
Të burgosurit palestinezë do të lirohen pasi të mbërrijnë pengjet izraelite nga Gaza.
Rreth 1 mijë e 700 të burgosur do të kthehen në Gaza, ku u arrestuan. Rreth 250 të burgosur me dënime të përjetshme do të lirohen ose në Bregun Perëndimor, ose në Gaza, ku do të dërgohen në mërgim.
Mohammed Atatra dhe familja e tij kishin pritur lirimin e vëllait të tij, Kamal Atatra, që nga mbrëmë. Kamal ishte burgosur 23 vjet më parë me akuza për vrasje dhe do të lirohet si pjesë e shkëmbimit të pengjeve.
Atartra tha: “Nuk e kemi parë për dy vjet, që kur filloi lufta, nuk e dimë se në çfarë gjendjeje do të jetë. Djali i tij nuk e njeh”.
Atartra shtoi se Ushtria izraelite kishte vizituar shtëpinë e tyre dje për t’i paralajmëruar të mos festonin lirimin e të afërmve të tyre.
“As këndim, as festime, as muzikë”, tha Um Abed, motra 60-vjeçare e Kamalit. “Kemi frikë se do ta arrestojnë përsëri”.
Trump në Izrael
“Lufta ka mbaruar, e kuptoni këtë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ndërsa nisi një fluturim nga Uashingtoni për në Izrael.
Presidenti izraelit Isaac Herzog do t’i japë Donald Trump Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit, nderi më i lartë civil i vendit.
Çmimi njeh përpjekjet e Trump për të siguruar lirimin e pengjeve.
Herzog do ta informojë Trump për vendimin gjatë takimit të tyre në Pallatin Knesset, dhe medalja do të jepet në muajt në vijim.
Midis amerikanëve që kanë marrë nderin janë ish-Sekretari i Shtetit Henry Kisinger, ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Joe Biden, dhe regjisori Steven Spielberg.
Medalja Presidenciale u dha për herë të parë më 1 mars 2012 nga presidenti i atëhershëm Shimon Peres, dhe është dhënë gjatë dy viteve për 26 individë “që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Shtetin e Izraelit ose për njerëzimin, përmes talentit, shërbimit të tyre ose në ndonjë mënyrë tjetër”.
Medalja, e frymëzuar nga Legjioni Francez i Nderit, u dizenjua nga Yossi Matityahu dhe përfshin një varg nga Libri i Samuelit, i cili mund të përkthehet lirshëm si “kokë e shpatulla mbi të tjerët”.
Isaac Herzog e rivendosi medaljen në vitin 2022. Nën udhëheqjen e Herzog, dekorata u riemërua Medalja Presidenciale Izraelite e Nderit.