Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, ka reaguar pas publikimit të rezultateve të pyetësorit ndërkombëtar TALIS, ku 52% e mësuesve shqiptarë pretendohet të kenë përdorur inteligjencën artificiale gjatë vitit 2024, përballë një mesatareje prej 36% në vendet e OECD-së.
Sipas Sulas, këto shifra janë të pabesueshme dhe përfaqësojnë një tjetër fasadë propagandistike të qeverisë për të fshehur realitetin dramatik të arsimit në vend.
“Askush nuk mund të besojë se mësuesit tanë kanë lënë pas kolegët në Austri, Norvegji, Belgjikë apo SHBA, vende që e kanë bërë përdorimin e inteligjencës artificiale pjesë të zakonshme të procesit mësimor,” tha ajo.
Ajo theksoi se pyetësori TALIS bazohet vetëm në vetëraportimin e mësuesve dhe jo në testime konkrete të aftësive të tyre, duke e cilësuar procesin si subjektiv dhe të orientuar nga eprorët.
“Arsimi digjital është vetëm në letër,” theksoi Sula, duke shtuar se mburrja e kryeministrit me “mesatare të lartë të përdorimit të IA-së” është një tjetër mashtrim qeveritar.
Sipas saj, realiteti në terren është krejt tjetër: shumica e shkollave nuk kanë as internet, as laboratorë funksionalë, ndërsa lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nuk zhvillohet as në ciklin 9-vjeçar, as në atë të mesëm.
“Nxënësit e dorëzojnë librin e TIK-ut të papërdorur, ndërsa shumë mësues që e japin lëndën nuk janë të diplomuar në teknologji apo informatikë,” shtoi Sula.
Ajo ironizoi se, ndoshta, mësuesve u është kërkuar të përfshijnë në anketë edhe përdorimin e celularit apo grupeve të WhatsApp-it, pasi në realitet “më shumë se 60% e mësuesve të ciklit të ulët nuk dinë të përdorin kompjuterin, edhe në Tiranë”.
Në vijim, Sula nënvizoi kontrastin e fortë mes vetëvlerësimit të lartë të mësuesve dhe rezultateve dramatike të nxënësve shqiptarë në testet ndërkombëtare si PISA, ku Shqipëria renditet në fund të listës për matematikë, shkencë e gjuhë.
“Kur nxënësit bien në fund të tabelave, nuk mjaftojnë statistikat e bukura në letër. Duhet përgjegjësi, reforma të vërteta dhe investim real në cilësinë e mësimdhënies,” përfundoi Sula, duke e cilësuar sistemin arsimor shqiptar si “një model propagande pa cilësi e pa përmbajtje.”
Deklarata e plotë:
Në pyetësorin TALIS (Anketa Ndërkombëtare e Mësimdhënies dhe të Nxënit), 52% e mësuesve shqiptarë janë shprehur se kanë përdorur inteligjencën artificiale gjatë vitit 2024, ndërkohë që mesatarja për vendet e OECD, është 36%.
Në fakt, askush nuk mund të besojë se mësuesit tanë kanë lënë shumë vende mbrapa mësuesit në Austri, Holandë, Norvegji, Belgjikë, Finlandë, Shtetet e Bashkuara vende të zhvilluara që përdorimin e inteligjencës artificiale e të programeve për progresin digjital e kanë bërë pjesë normale të procesit mësimor.
Duhet të mbajmë parasysh se TALIS bazohet në plotësimin e anketës nga ana e mësuesve, jo në testime të aftësive të tyre, nga ana tjetër vetëraportimi është subjektiv, sa edhe i orientuar e nën mbikëqyrje për të plotësuar anketën ashtu siç duan eprorët.
Arsimi digjital është vetëm në letër, ndërsa mburrja e kryeministrit me tamtame për mësues të kënaqur me profesionin, për mesataren e lartë të mësuesve që përdorin IA është tjetër fasadë qeveritare për të fshehur kolapsin në terren.
Është e ditur se:
-shumica dërrmuese e shkollave s’kanë as internet, as kompjuterë, as laboratorë funksionalë.
– Lënda e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit nuk zhvillohet fare as në ciklin 9-vjeçar, as në atë të mesëm. Nxënësit e dorëzojnë librin në fund të vitit shkollor të papërdorur ashtu siç e kanë marrë në fillim të tij.
-Lëndën e TIK-ut e zhvillojnë mësues që nuk janë diplomuar në fushë të teknologjisë dhe të informacionit por në degë të tjera, si dhe mësues që nuk plotësojnë ngarkesën mësimore.
Mësuesve tanë me ç’duket u është kërkuar të përfshijnë edhe përdorimin e celularit dhe të grupeve të ËhatsApp-it, sepse ata vetë e dinë po aq mirë sa nxënësit e prindërit dhe shoqëria se më shumë se 60 % e mësuesve të ciklit të ulët nuk dinë të përdorin kompjuterin, edhe në mes të Tiranës, ndaj këto shifra nuk janë realitet, por propagandë e paketuar si statistikë.
85% e mësuesve pohojnë se e kanë zgjedhur si profesion të parë mësuesinë, por për pyetjen nëse dashuria për profesionin mund të ndikojë më shumë sesa paga, Shqipëria nuk figuron në listën e përgjigjeve, ndërkohë që renditet Maqedonia e Veriut, Kosova.
Realiteti në terren dhe rezultatet dramatike të nxënësve tregojnë një histori krejt tjetër krahasuar me përgjigjet e pyetësorit – një sistem arsimor në kolaps, ku testet ndërkombëtare si PISA-s zbulojnë mungesën e njohurive, të motivimit dhe drejtimit dhe i rendisin aftësitë e nxënësve në matematikë, gjuhë, shkencë, të menduarin krijues në fund të botës. Janë përkeqësuar të dhënat për diskriminimin, asocializimin, bullizmin, dhunën e konfliktet, ndërkohë mësuesit na qenkërkan të lumtur.
Kur nxënësit bien në fund të tabelave, nuk mjaftojnë statistikat e bukura në letër, por duhet përgjegjësi, reforma të vërteta dhe investim real në cilësinë e mësimdhënies.
Kontrasti i fortë mes vetëvlerësimit të lartë të mësuesve dhe nivelit të ulët të arritjeve të nxënësve mbetet dëshmia më e qartë e politikave arsimore të qeverisë: shumë propagandë, aspak cilësi.