Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me Imer Krrashin, i kapur sot nga policia, pasi fillimisht tentoi t’iu ikte forcave të rendit me automjetin, duke bërë dhe një aksident.
Burime për mediat bëjnë me dije se Imer Krrashi, 31 vjeç, është identifikuar si pjesë e strukturës së organizuar që drejtohet nga Haka.
Ajo që bie në sy është se Imer Krrashi, i cili aktualisht figuron me këtë emër, më herët ka qenë i njohur si Imer Masha, me origjinë nga Kruja.
Ndryshimi i identitetit ngre dyshime për përpjekje për të shmangur vëmendjen e autoriteteve dhe për të vepruar në prapaskenë.
Ngjarja e sotme
Përmes një njoftimi zyrtar, policia bën me dije me se ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, ku Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin Imer Krrashi, 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.
Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll.
Në momentin që Imer Krrashi është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe.
Gjatë tentativës së tij të dështuar për arratisje, Imer Krrashi përplasi me makinë në afërsi të zonës së TEG-ut 9 automjete dhe 1 motor, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.