Në prill 2025, në fshatin Metoq të Sarandës, një grua u aksidentua rëndë nga freza e një traktori duke përfunduar në një kanal vaditës teksa ecte buzë rrugës. Traktori drejtohej nga një 75-vjeçar që nuk kishte leje drejtimi.
Gruaja pësoi fraktura të shumta, përfshirë 12 brinjë të thyera dhe ndodhet ende në shtrat pas katër muajsh.
Bashkëshorti i saj pretendon në emisionin “Stop” në Tv Klan se ngjarja është manipuluar nga ekspertët, të cilët sipas tij po përpiqen ta nxjerrin gruan fajtore.
Dyshohet se eksperti autoteknik Andrea Baxheri ka shtuar gjurmë të një traktori tjetër në vendin e ngjarjes për të ndryshuar dinamikën e aksidentit.
Denoncuesi: Ka ndodhur një aksident në Pal në datën 11 prill 2025. Unë dua të të marr një informacion se nëna ime është gjetur në kanal në anën e karaxhatës. Tani, ku je bazuar ti që ke mbajtur këtë akt-ekspertizë?
Eksperti Andrea Baxheri: Ty njëherë, nuk të jap shumë llogari unë ty. S’kam lidhje me ty fare unë, unë kam lidhje me prokurorinë.
Denoncuesi: Pse nuk ke shkruar që nëna është gjetur në kanal?
Eksperti Andrea Baxheri: Po në kanal është gjetur ajo brenda në…
Denoncuesi: Ai zetori i parë që kishe shkruajtur e pa shumë mirë, i dyti pse e shtypi?
Eksperti Andrea Baxheri: Unë e kam shprehur të gjithë mekanizmin e ngjarjes në bazë të letrave.
Denoncuesi: Në bazë të letrave, po në çfarë fotosh u bazove? Ti ke vajtur ditën pas ngjarjes. Pas sa ditësh ke vajtur tek vendi i ngjarjes?
Eksperti Andrea Baxheri: Në mëngjes.
Denoncuesi: Me kë ke qenë atje?
Eksperti Andrea Baxheri: Me prokuroren, qe edhe një OPGJ, Ermali. Ke të drejtë të marrësh tjetër grup po qe që s’të pëlqen kjo ekspertizë, po normale që ç’do të të pëlqente… Unë aty e kam shprehur. Kjo ka qenë përballë zetorit. Aty e kam shprehur shumë mirë mekanizmin e ngjarjes. Kjo ka qenë përballë zetorit për nja 10 centimetra…
Denoncuesi: Po zetorin që ka dalë nga rruga, pse nuk e ke shprehur? Zetori ka dalë jashtë rruge, e ka goditur dhe e ka hedhur në kanal, s’është se ishte brenda në rrugë dhe e goditi në rrugë, ishte në anë të rrugës, s’kishte trotuar, ishte në anë të karaxhatës.
Ndërkohë, eksperti mjeko-ligjor e ka klasifikuar aksidentin si “me dëmtime të lehta”, pavarësisht gjendjes së rëndë të zonjës.
Bashkëshorti i së aksidentuarës: Ti ke bërë një akt mjeko-ligjor për një aksident, e ke nxjerrë me dëmtime të lehta jashtë rrezikut për jetën kur ndërkohë ajo ka 12 brinjë të thyera dhe tre tuba në mushkëri.
Eksperti mjeko-ligjor: Po.
Bashkëshorti i së aksidentuarës: Me një fjalë, aktin, që ke bërë ti, është bërë sikur s’është goditur nga traktori, por ndonjë gjë kështu.
Eksperti mjeko-ligjor: Nuk kam thënë që nuk është…, unë, atë zonjën, nuk e kam parë. Kam shqyrtuar kartelën që më ka vënë në dispozicion prokuroria edhe unë kam punuar në bazë të kartelës së prokurorisë.
Bashkëshorti i së aksidentuarës: Ti e ke bërë “dëmtim jashtë rrezikut për jetën”, kurse doktori e mbajti 10 ditë në Tiranë dhe më tha, “nuk mund të të them, që është jashtë rrezikut për jetën”….
Eksperti mjeko-ligjor: Më kupto! Unë kam shqyrtuar një dokumentacion që më ka vënë në dispozicion prokuroria. Në qoftë se, për këtë ka një dokumentacion tjetër, ajo bëhet shtesë…,e bën prokuroria atë, nuk shkruaj unë. Shiko si funksionojnë këto gjëra! Mua prokuroria më solli një kartelë prokuroria… Në qoftë se ju i keni ato disqet të tëra, i kërkoni ato, edhe unë nuk them, mua thjesht ma kërkon prokurori, ma lexo pak këtë…
Bashkëshorti i së aksidentuarës: Po ata disqet që pe?!
Denoncuesi: Me ata që pe, 12 brinjë të thyera, 3 brinjë të futura në mushkëri, 3 brinjë ishin të thyera 4 herë, shpatulla e thyer. Nëna ime ka qenë 12 ditë në Tiranë dhe ka ndenjur 20 ditë këtu.
Rasti i denoncuar në emisionin “Stop” dhe kërkohet ndërhyrja e prokurores Hava Memko për të urdhëruar një riekspertim autoteknik dhe mjeko-ligjor, si dhe hetim mbi dyshimet për manipulim të provave./Tv klan