Një grua ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur, në një sulm të armatosur që ndodhi pasditen e sotme në një kafene në lagjen Višnjiçka Banja të Beogradit, Serbi Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 dhe shkaktoi panik të madh te qytetarët.
Sipas dëshmitarëve okularë, një person i armatosur ka arritur në vendngjarje me një furgon të bardhë në afërsi të lokalit, është afruar nga pjesa e pasme dhe ka hyrë brenda kafenesë, ku ka filluar të qëllojë me armë zjarri.
.
“U dëgjuan katër ose pesë të shtëna. Menjëherë pasuan britmat, rrëmuja dhe njerëzit nisën të vraponin në të gjitha drejtimet. Ishte një kaos total”, tregoi për gazetën Kurir një dëshmitar, që ndodhej afër vendit të ngjarjes.
Dëshmitarët raportojnë se agresori ka qenë tepër i zemëruar, kur hyri në lokal.
“Para se të fillonte të qëllonte, e dëgjuam duke bërtitur, ishte shumë i nervozuar. Pastaj nisi të qëllonte me armë, pa dallim. Pas sulmit, autori i dyshuar u fut në furgon dhe u largua me shpejtësi”, shtoi një mekanik, aty pranë.
Kush janë të plagosurit?
Sipas burimeve zyrtare, në sulmin e armatosur janë plagosur këta persona:
- V. D. (51 vjeç) – në gjendje të rëndë, ndodhet në repartin e reanimacionit.
- M. Lj. (42) – ka pësuar plagë nga një plumb në pjesën e poshtme të këmbës së majtë.
- A. O. (59) – është qëlluar në kofshën e majtë.
- N. N. (33) dhe L. D. (29) – kanë marrë plagë në këmbë dhe në pjesën e pasme të trupit.
Fatkeqësisht, një grua, e cila ishte ulur pranë hyrjes së lokalit ka ndërruar jetë në vend. Identiteti i saj nuk është bërë ende publik.
Detaje të tjera nga vendngjarja
Në vendin e ngjarjes janë dëgjuar britma dhe ulërima, ndërsa disa xhama janë thyer – si të lokalit, ashtu edhe të disa makinave të parkuara përreth.
“Fillimisht u dëgjua një frenim i fortë i gomës, pastaj zbriti një burrë nga furgoni që dukej shumë i nervozuar. Filloi të bërtasë dhe më pas hapi zjarr. E gjitha ndodhi për disa sekonda,” shpjegon një tjetër dëshmitar.
Gjatë hetimeve, në vendngjarje është gjetur një armë zjarri pranë njërit prej klientëve të lokalit, por nuk është konfirmuar nëse ka lidhje me ngjarjen.
Ndërkohë, para lokalit janë parë grupe të rinjsh, që qanin dhe përqafoheshin – shumë prej tyre thuhet se njihnin viktimën ose të plagosurit.
Hetimet në vazhdim
Në vendin e ngjarjes ndodhen ekipet e policisë dhe Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit, të cilët kanë nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe sqarimin e motiveve të këtij akti të dhunshëm.
Për momentin, nuk është konfirmuar nëse agresori veproi i vetëm apo kishte bashkëpunëtor. Po ashtu, nuk dihet ende nëse ngjarja lidhet me ndonjë konflikt të mëparshëm personal apo është akt criminal, me motive të tjera.