Nisja e punimeve për kullën 35 kate në Shkodër, e miratuar një vit më parë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) me firmën e Edi Ramës, ka ardhur një tjetër reagim nga Myftinia e Shkodrës, e cila e kundërshton këtë projekt.
Komuniteti Mysliman i Shkodrës, përmes myftiut Muhamed Sytari e ka konsideruar atë të paligjshëm dhe të ndërtuar mbi një pronë të grabitur.
Sytari pretendon se ka dokumente që dëshmojnë pronësinë e Myftinisë së Shkodrës mbi truallin ku parashikohet të ndërtohet kulla.
“Qeveria na ka sjellë këtë pamje. Ky është thelbi i degradimit dhe i shthurjes dhe i prishjes së institucioneve ku Bashkia e Shkodrës, edhe Qeveria jonë, bashkë me një ndërtues na shfaqin këtë kryeçibanin. Po ku? Në pronën e huaj. Se del ndonjë dhe thotë nuk është pronë e komuniteteve. Unë e kuptoj se shumë të ranë në Shkodër, për një kafshatë bukë shesin edhe dinin dhe imanin, edhe ujin e fytyrës dhe e thonë dhe një fjali si kjo. Që ne gjithsesi, e marrim dhe e hedhim tek koshi më i parë që e gjejmë rrugës. Fesadi çfarë është, aty kur ti jeton në një vend dhe prej aty ku duhet të dalë drejtësia, del zhvatja. Prej aty ku duhet të dalë mirëkuptimi, del grabitja. Prej aty ku ti duhet të kërkosh të drejtën tënde dhe duhet të marrësh pronën dhe të drejtën tënde, ta grabisin, ta tjetërsojnë, ja japin dikujt. Dhe kështu nis edhe gangrena e Fesadit dhe përfshin realitetin ku ne jetojmë.
Askush nuk ka të drejtë të shkelë mbi pronën tonë me projekte që cenojnë historinë, identitetin dhe të drejtën e Zotit mbi këtë tokë” – tha Muhamed Sytari
Ai lëshoi edhe një paralajmërim për autoritetet dhe investitorët që po shtyjnë përpara ndërtimin, duke thënë se nuk do të qëndrojnë të heshtur përballë një padrejtësie të tillë.
Kulla “Hotel Rozafa Tower” do të ndërtohet nga nga “Uldedaj Group” në hapësirën e hotel Rozafës, duke iu shtuar hapësirës së saj, por shumëfish më e lartë se godina e Rozafës. Bëhet fjalë për një zonë në qendër të qytetit të Shkodrës, karshi pedonales dhe zonës historike.
Por, zona ku parashikohet të ndërtohet kulla është objekt mosmarrëveshjesh prej më shumë se dy dekadash, me pretendime pronësie nga Myftinia e Shkodrës, Kisha Ortodokse dhe familja Laçaj. Proceset gjyqësore janë ende në vijim.