Ilir Meta ka reaguar në lidhje me vendimin e djeshëm të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili me urdhër të Edi Ramës, miratoi propozimin për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt, e cila pritet të miratohet nesër dhe nga Qeveria.
Në një intervistë për Syri.net, Meta shprehet se, bashkë me Veliajn duhej shkarkuar edhe Këshilli Bashkiak. Meta ka theksuar gjithashtu se Veliaj nuk po hetohet dhe gjykohet për kallëzimet e faktuara nga opozita, por për “hatër” të kallëzimit të bërë nga Nesti Angoni, pra sipas tij nga vetë Edi Rama.
“Për fat të keq sot Erion Veliaj nuk po hetohet dhe gjykohet për kallëzimet e faktuara nga opozita, por për “hatër” të kallëzimit të bërë nga Nesti Angoni, pra vetë Edi Rama. Akti më flagrant i Erion Veliajt në shkelje të ligjit siç është shkresa e tij zyrtare për t’i hapur rrugë ndërtimit të inceneratorit të Tiranës, as nuk guxon të preket nga SPAK-u.
Ndërkohë inceneratori nuk ekziston dhe vetëm për këtë vit qytetarët e Tiranës paguajnë 12 milion euro që vidhen nga Edi Rama. Përse nuk hetohet për këtë çështje kaq konkrete dhe flagrante? Sepse na e tha vet edhe ish-Zv/Kryeministri, Arben Ahmetaj se këtë shkresë të Veliajt ia kërkoi Rama ta firmosë.
Ndërkohë që Veliaj është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim, pagesat e inceneratorit vazhdojnë dhe rriten. Kjo tregon qartë se përfituesi kryesor është Edi Rama dhe jo Veliaj. Ndaj optimizmi i opozitës duhet të jetë i përmbajtur pasi Veliaj nuk po hetohet dhe gjykohet për çështjet madhore por për çështje dytësore që nuk implikojnë Edi Ramën, i cili ka kontroll të plotë të SPAK-ut dhe drejtësisë” – thotë Meta.
“Jam i sigurt që edhe nëse vetë ai (Rama) nuk është Nesti Angoni përsëri Nesti e ka shkruar kallëzimin i diktuar prej tij. Për Ramën, Veliaj duhej eliminuar sepse ai kishte guxuar të projektonte veten si pasardhës, çka është e papranueshme nga një mendje e sëmurë për pushtet pa kufij në kohë dhe hapësirë. Në këtë mënyrë justifikohej edhe për goditjet politike kundër drejtuesve të opozitës por edhe i jepte pikë SPAK-ut si gjoja i pavarur nga ai “krijuesi” i SPAK-ut dhe drejtësisë së re. Fiks Drejtësi me Regji” – thotë Meta që flet edhe për kandidaturën që duhet të nxjerrë opozita në zgjedhje.
“Duke besuar se opozita e do bashkinë për t’ua rikthyer qytetarëve unë besoj edhe te vullneti i saj për të gjetur një kandidat ose kandidate që të përfaqësojë të kundërtën e asaj që përfaqëson kandidatja e Ramës, që është nënshtrimi ndaj tij dhe interesave mafioze për shkatërrimin e kryeqytetit vetëm në funksion të pastrimit të parave. Nëse opozita përzgjedh një kandidat ose kandidate gjithpërfshirëse dhe me grintë, me një organizim më të mirë, Bashkia e Tiranës do t’u kthehet qytetarëve” – tha Meta.
Ai bën edhe një koment për qeverinë e re dhe Diellën.
“Për Qeverinë mund të them se ka një Kryeministër dhe 17 Diella ku më e pafajshmja është ajo që u “kurdis” në Kuvend. Të gjithë të quajturit ministra janë vetëm zbatues urdhrash dhe kandidatë për bedelë në të ardhmen” – thotë Meta.
Ilir Meta tregon se nuk e lejojnë më që të luajë pingpong në qeli dhe se as të stërvitet, pasi sipas tij, dy bidona 20 litërsh secili që ia kishin sjellë familjarët, ia lanë deri sa t’u çahej nga një vrimë, pastaj ja dërguan në qeli.
“Ping-pongu nuk ekziston më që në Maj pasi fola në telefon me gazetaren Beti Njuma. Por na ka dalë një problem i ri me bidonat që askush nuk mund ta besojë. Para disa kohësh u them dy drejtuesve kryesorë të burgut se doja të fusja dy bidona plastikë uji nga 20 litra secili për qëllim stërvitjeje. Vetëm 9 ditë pasi familjarët e mi i kishin sjellë dy bidonat bosh, m’i sjellin te qelia. Me pak vonesë por prapë i sollën.
Fillova të mbushja bidonin e parë se donte kohë kur sapo kaloi mbi gjysmën pashë të derdhej uji në dysheme. Epo thashë unë rastësi që një ma kanë sjellë me vrimë. E hodha atë ujin në bidonin tjetër që të fitoja kohë dhe po e mbushja me ujë kur prapë filloi të rridhte ujë. E kuptova që Qeveria e Ramës i kishte mbajtur dy bidonat për 9 ditë vetëm për t’u hapur nga një vrimë.
Atëherë u them njerëzve të mi më sillni një bidon si ata të mbushur me ujë për t’u hequr alibinë se bidonat kishin ardhur me vrima. Para dy javësh erdhi bidoni 20 litra me ujë, por do ta kenë futur në qeli më vete. Ju tregova këtë histori absurd për të kuptuar sa ordiner është Edi Rama se këto nuk janë histori drejtorësh dhe policësh” – e mbyll Meta.