• Kontakt
Monday, September 22, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi AKTUALITET

Vrasja e Gentian Bejtjës/ Hetimet zbulojnë pistën e Dubait, në lojë vëllezërit Bami dhe Roan Brahimi

21:23 : 21/09/2025
në AKTUALITET, KRONIKE, KRYESORE

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash.

Pas shumë ngjarjesh kriminale, vrasje që për disa vite me radhë ndodhnin nga Jugu në Veri, të gjitha rrugët e çonin Policinë drejt Fushë-Krujës dhe zonave përreth.

Për krime që ndodhnin aty por edhe për krime, provat e të cilave fshiheshin po aty. Duket se herë pas here rrugët e ngjarjeve të rënda që ndodhnin në çdo skaj të Shqipërisë kryqëzoheshin atje.

E në fakt ashtu rezultoi edhe nga bisedat e SKY që u zbërthyen vitet e fundit dhe nga SPAK, që zbuloi edhe aleancat e krimit.

Lexo edhe:

Atentati në Fushë Krujë/ Babai i Gentian Bejtjës: Pas breshërisë, një fuoristradë e zezë u largua me shpejtësi

“Jo vetëm influenceret të përfshira”/ Zbulohet rrjeti i p*ostitucionit në Dubai: Si mashtroheshin gratë

Atje digjen makina e armë të përdorura në vrasje. Herë pas here atje rekrutohen të rinj nga grupe kriminale, për të realizuar vjedhje, për të gjetur armë e madje edhe për të vrarë.

Ndodh që shumë ngjarje atje mbeten pa autor. Të paktën pa autor të provuar, pasi në fakt janë të njëjtët eksponentë, emrat e të cilëve dalin në skenë pas çdo ngjarjeje kriminale.

Shoqërohen e lirohen për mungesë provash. Ashtu sikurse edhe Durim Bami, vëllai i tij, Valter Bami, Marklen Haka, apo edhe Gentian Bejtja që u vra 15 marsin e vitit 2024.

Por banorët e këtyre zonave zgjedhin t’i zgjidhin vetë hallet e tyre. Ndër vite ata kanë preferuar vetëgjyqësinë.

Policia i ka vizituar shpesh, por po aq shpesh është kthyer mbrapsht ashtu siç ka shkuar. Banorët e fshatrave përreth Fushë-Krujës janë stërvitur ndër vite që problemet t’i zgjidhin pa shtet, por mes njëri-tjetrit.

Dhe rezultatet flasin vetë.

Atentate që herë dështojnë e që herë pas here vrasin të pafajshëm. Ashtu siç u vra gabimisht halla e Marklen Hakës në Nikël, edhe më 4 korrik 2023 u vra kunati i Gentjan Bejtjas, në Larushkë e u plagosën djemtë e tij të mitur 13 e 10 vjeç.

Policia për shumë kohë numëronte gëzhojat e makinat që digjeshin. Shoqëronte të njëjtët personazhe gjithmonë, që përfundonin sërish duke u lënë të lirë.

E rezultati ishte po i njëjtë.

Hesape të vjetra që mbyllen e varre të reja që hapen. Madje në ndonjë rast, dikush edhe pse mendohet i vdekur, as varr nuk ka…

Ndërsa sot duket se gjërat kanë ndryshuar. Bisedat e zhvilluara në SKY bënë që SPAK tashmë të ketë emra konkret autorësh që kanë porositur vrasje, që kanë kryer krime e që kanë bashkëpunuar për të zhdukur provat, madje edhe kufomat.

Ekspozimi më i madh i grupeve të Fushë-Krujës ishte në vitin 2013, atëherë kur u arrestuan Enver Stafuka dhe Gentian Bejtja, në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë kryekomisari Dritan Lamaj. Bejtja qëndroi pak kohë në qeli dhe u hetua në gjendje të lirë e pas një kohë pak më të gjatë në burg, u lirua edhe Stafuka.

Por pas këtij momenti gjërat nisën të ndryshojnë. Ndërsa shkëputja përfundimtare ndodhi pas një atentati që ndodhi më 5 janar të vitit 2015, kur u qëllua ndaj Emiljano Shullzit e Gilmando Danit. Një muaj më vonë u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur sot e kësaj ditë, miku i Bejtjas, Enver Stafuka.

Pas kësaj ngjarje grupet e Fushë-Krujës u përçanë përfundimisht e atentatet në dy krahët e rrugës nacionale, mes Niklës e Larushkës nuk do të mungonin. Historia më vonë do të tregonte se në fakt gjithçka ishte pasojë e ngjarjeve ku vetë ata ishin përfshirë, në mos drejtpërdrejt, në forma të tjera që i bënin po aq përgjegjës. Aq sa nisën të përfshihen edhe në aleanca të fuqishme me grupet më të mëdha kriminale në vend. E duket se gjithçka sillej rreth Durim Bamit. Pa çka se nuk u arrit të provohej asnjëherë ligjërisht, ai u përfol për disa nga krimet më të rënda që ndodhën vitet e fundit.

Ashtu sikurse edhe për vrasjen e Gentian Bejtes më 15 mars 2024. Për këtë ngjarje tashmë u arrestuan 3 persona. Ilir Beqaraj e Edison Haxhiu, që u prangosën vetëm disa ditë pas krimit dhe Flodian Plaku, më shumë se një vit pas vrasjes së Bejtes.

Ky është momenti kur forcat operacionale prangosën në një hotel në Orikum të Vlorës, 42-vjeçarin Flodian Plaku.

I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për krime brenda dhe jashtë vendit, Plaku u arrestua gjatë operacionit të koduar “Eterna”.

I njohur edhe me 2 emra të tjerë, por edhe me pseudonimin “Pole Qorri”, ai po mbahej në vëzhgim prej disa ditësh nga forcat operacionale, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtes më 15 mars të vitit 2024 në Larushkë të Fushë-Krujës.

Duke mbajtur në vëzhgim personat që e ndihmonin teksa i shmangej drejtësisë, Policia ra në gjurmët e tij dhe më 3 gusht 2025 e arrestoi.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me Flodian Plakun, u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, por edhe 3 persona të tjerë që i kishin ardhur në ndihmë gjatë arratisë.

Nga hetimet rezultoi se Albano Lapshi, 36 vjeç, banues ne Vlorë, Armandoi Dano, 31 vjeç banues ne Vlore dhe Ligor Doko, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e të kërkuarit për vrasje. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën  penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Njëtri ishte personi që i dërgonte ushqim në dhomën ku strehohej, tjetri ishte pronari i hotelit, ku edhe u arrestua, ndërsa personi i tretë, për të cilin gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, ishte berberi, nga ku edhe u ndoq derisa u arrestua.

VRASJA E GENTIAN BEJTES

Më datë 15 mars të vitit 2024, rreth orës 16:25, në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Krujë, është dhënë njoftim se persona të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij Gentian Bejten, në fshatin Larushkë, të Fushë – Krujës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit është formuar grupi hetimor me oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe proceduriale ka rezultuar se, persona të armatosur, pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Gentian Bejtes, kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, brenda rrethimit të banesës, afër murit jugor është gjetur kufoma e Gentian Bejtes. Brenda këtij rrethimi është konstatuar një serë plastmasi, që ndodhej disa metra larg kufomës ku u gjetën, fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu, në pjesën e jashtme të serës, afër hyrjes, u fiksuan në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja të tjera, si dhe një foto e një personi të seksit mashkull, i paidentifikuar.

Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë – Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë konstatuar automjetin “Land Rover”, në pamje të parë pa targa, i djegur plotësisht. Gjatë këqyrjes së këtij automjeti u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri, kallashnikov. Pranë këtij automjeti, në pjesën e përparme në tokë u gjetën, një targë AA 281 VG, në pjesën e pasme të mjetit në tokë u gjetën dy pjesë targe të dëmtuara si rezultat i zjarrit në automjet, ku dallohen numrat dhe germat 81VG.

Nga verifikimi në sistemin e-Gjoba, rezulton se targa AA281VG, i përket automjetit të markës “Hyundai” me ngjyrë të bardhë, të cilat ishin kallëzuar të vjedhura më 25 janar 2024 në Komisariatin nr. 6, në Tiranë. Mjeti gjetur i djegur në fshatin Hasan është transportuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nga rikëqyrja e tij është përftuar numri i shasisë. Nga verifikimet në sistemin e-gjoba, rezulton se automjeti “Land Rover”, me ngjyrë të zezë, është kallëzuar i vjedhur më datë 7 gusht 2023, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Gjatë rikëqyrjes së këtij automjeti të djegur, në pjesën e brendshme të tij, u gjetën të shpërndara në formë të çrregullt 20 gëzhoja dhe 15 predha të kalibrit 7.62 mm të dëmtuara, deformuara dhe mbuluara nga bloza si pasojë e temperaturave të larta gjatë djegies së automjetit.

Në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë, është bërë këqyrja e kufomës se Gentian Bejtes dhe në trupin e tij janë konstatuar 30 plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit. Pra, si rezultat i këqyrjes së vendit të ngjarjes, këqyrjes së automjetit dhe këqyrjes së kufomës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 71 gëzhoja, 17 predha, katër armë zjarri, automjeti i dyshuar që është përdorur nga autorët në vendngjarje, si dhe provat e tjera.

Në lidhje me ngjarjen janë pyetur në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethana të dobishme për hetimin disa persona, mes të cilëve edhe Gani Bejtja, babai i Gentian Bejtes.

KONFLIKTET NË FUSHË – KRUJË

Këto breshëri plumbash, u shkrepën nga 3 kallashnikovë, në fshatin Larushkë të Krujës. Vetëm 15 minuta pasi kishte kaluar mesnata e kishte hyrë data 4 korrik 2023, një makinë nga ku zbritën 3 persona u sharrua nga të paktën 30 plumba. Plumba që nuk kursyen as dy fëmijë të mitur, 13 e 10 vjeç. Ndërsa daja i tyre mbeti i vrarë.

Objektivi në fakt ishte Gentian Bejtja. Pas dy atentateve të mëparshme, ku ishte plagosur, në atentatin e 4 korrikut ishin djemtë e tij të mitur që paguan për të. Ata u plagosën. Madje djali 13 vjeç, për orë të tëra luftoi me vdekjen në sallën e operacionit të Spitalit të Traumës. Një operacioni iu nënshtrua të nesërmen edhe djali 10-vjeçar. Ndërsa kunati i tij, Ramazan Sino, 29 vjeç, mbeti i vdekur në vend. Ai ishte bërë baba pak muaj më parë dhe prej disa vitesh ishte i punësuar si shofer në Prokurorinë e Apelit në Tiranë. Sipas Policisë, Sino u gjend rastësisht mes breshërisë së plumbave, njësoj si dy nipat e tij të mitur.

Gentian Bejtja kishte 10 ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Udhëtonte e qëndronte shpesh jashtë vendit, kryesisht në Suedi e Norvegji, ku kishte kërkuar edhe azil, bashkë me gruan e 4 fëmijët, por i ishte refuzuar. Informacioni për kthimin e tij ishte përcjellë me shpejtësi tek kundërshtarët. Ata u vunë në lëvizje për ta eliminuar. Në atentatin e 4 korrikut 2023 dyshohet se ka kanë marrë pjesë tre presona. Pas një sinjalizimi të gabuar se Gentian Betja po kthehej me makinë në shtëpi, ata kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre, deri në momentin që kanë mbërritur pranë banesës.

Sapo kanë zbritur nga mjeti brenda oborrit, ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar mbi 30 gëzhoja kallashnikovi.

Pas krimit autorët janë larguar nga vendngjarja duke i vënë flakën makinës, bashkë me tre kallashnikovët brenda, në fshatin Tapizë, rreth 6.4 kilometër larg vendit të ngjarjes, distancë që përshkohet për më pak se 10 minuta me makinë.

Si gjithmonë, në atentate të tilla, makina rezultoi e vjedhur. Zyrtarisht policia tha se ka shoqëruar 3 persona për t’i marrë në pyetje, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni.

U shoqëruan dy vëllezërit, Durim dhe Valter Bamin, si dhe Marklen Haka, emra që në fakt janë të parët që Policia liston për t’i pyetur sa herë që ka ngjarje në, kryesisht në hapësirën mes fshatin Nikël e Larushkë. Megjithatë, siç ka ndodhur edhe më parë, disa orë pas shoqërimit ata u lanë të lirë.

Por 24 orë në vonë, Policia arrestoi Valter Bamin. Pas aktit të ekspertimit kimik për faktorë plotësues, rezultoi se 39-vjeçari kishte qëlluar me armë zjarri. Në dorën e majtë të tij, ekspertiza konstatoi gjurmë baruti, çka fakton se ka kryer qitje me armë zjarri. Disa orë pas urdhrit të lëshua nga Prokuroria e Tiranës më 6 korrik, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, të Niklës, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranë Valter Bami.

Por heqja e lirisë së Valter Bamit zgjati vetëm disa muaj. Në janar të vitit 2024 ai u la i lirë, pasi Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.

Por në atentatin e katërt ndaj Gentian Bejtes, atentatorët e arritën qëllimin, duke e eliminuar. Në vijim të veprimeve hetimore është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Marklen Haka, Fatmir Koçi, Gentian Bejtja, Valter Bami, Vat Caka, Albert Sinanai (Hasneziraj), Shefqet Kullaj, Gazmir Saka dhe Fatmir Bami. Gjatë kontrollit në këto banesa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR dhe konkretisht në banesat e shtetasve Gentjan Bejtja, Fatmir Koçi, Marklen Haka dhe Valeter Bami, për të cilat është marrë vendimi për ekspertime kompjuterik.

Nisur nga historiku i mëparshëm, iu morën deklarime pothuajse të njëjtëve persona. Mes atyre që u morën në pyetje ishin edhe Valter Bami dhe Marklen Haka.

Valter Bami

Më datë 15 mars 2024 jam larguar nga Shqipëria për në Kosovë dhe më pas kam udhëtuar me avion për në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kam qëndruar së bashku me vëllain tim, Durim Bami. Kur ka ndodhur ngjarja unë kam qenë në Dubai dhe jam informuar nga bashkëshortja ime, që më ka njoftuar se në shtëpi kishte shkuar Policia dhe po më kërkonte për deklarim.

Marklen Haka

Më datë 15 mars 2024 jam zgjuar nga gjumi rreth orës 15:00. Deri në momentin që më ka shoqëruar Policia kam qëndruar në lagje. Pra në fshatin Zezë. Ka udhëtuar deri në fshatin Buran, të Njesisë Nikel, ku kam blerë disa fidanë lulesh së bashku me një kushëri dhe një shokun tim. Në lidhje me ngjarjen nuk kam asnjë dijeni. Jam informuar për vrasjen e Gentian Bejtes vetëm në momentin që Policia ka bërë kontroll në shtëpinë time. Gentianin e njoh prej vitesh si banorë të zonës, por që nga viti 2019 nuk jam takuar me të. Takimi i fundit ka qenë një vizitë që ai ka bërë në shtëpinë time disa ditë pasi jam plagosur në vitin 2019.

Gjithashtu, u shoqërua për t’u marrë në pyetje edhe Edison Rami, kushëriri i vëllezërve Durim e Valter Bami, i cili po ashtu konfirmoi njohjet me të, dhe faktin se dikur Bejtja ishte shok i kushërinjve të tij, por kishin vite pa u takuar.

Edison Rami

Unë banoj në Fushë – Krujë, por herë pas here qëndroj edhe në Nikël në shtëpitë e kushërinjëve të mi, Durim e Valter Bami. Kur ka ndodhur ngjarja në fshatin Larushkë, më 15 mars 2024, kam qenë në lokalin tim në fshatin Verjon të Krujës. Lajmin për vrasjen e Gentian Bejtes e kam marrë nëpërmjet mediave, gjatë kohës që kam qenë në lokal. Gentianin e njoh sepse dikur ka qenë shok me kushërinjtë e mi, Durim dhe Valter Bami, por nuk kisha ndonjë miqësi as ndonjë konflikt me të dhe nuk e kam takuar prej vitesh.

IDENTIFIKIMI I TË DYSHUARVE

Janë administruar e këqyrur pamjet filmike nga subjekte të ndryshme private, përgjatë gjithë intinerarit që dyshohet se kanë përshkuar autorët për t’u afruar dhe larguar nga vendi i ngjarjes. Nga këqyrja e pamjeve filmike të administruara nga subjektet private në rrugën kryesore, që lidhet me rrugicën që të çon në banesën e Gentian Bejtes, rezulton se në orën 16:14 futet një automjet i markes “Land Rover Discoveri”, me ngjyre te zeze, i cili qëndron rreth dy minuta. Në orën 16:16, ky automjet largohet me shpejtësi duke dalë në rrugën kryesore dhe duke lëvizur në drejtim të mbikalimit të Fushë –  Krujës, ku më pas automjeti i autorëve të dyshuar del nga rruga kryesore duke u kthyer në fshatin Hasan, vend ku më pas është djegur.

Në vijim, nga të dhënat e siguruara në rrugë operative, dyshohet se autorët pasi kanë djegur mjetin e markës “Land Rover”, në fshatin Hasan, janë larguar me një automjet “Golf” me ngjyrë të zezë pa targë në pjesën e pasme. Nga këqyrja paraprake e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, është konstatuar se afër vendit ku autorët kanë djegur mjetin shfaqet duke qarkulluar një automjet në dukje i markës “Golf” me ngjyre të zezë, pa targën e pasme.

Dosja e Prokurorisë

Nga verifikimi i pamjeve të tjera është arritur dallohet targa e parë e tij AA 960 GG dhe nëpërmjet saj janë nxjerrë të dhënat e mjetit dhe numri i shasisë. Ka rezultuar se ky automjet është larguar nga autostrada Thumanë  – Fushë – Krujë, ka dalë në mbikalimin e Fushë  – Krujës, është kthyer djathtas për në drejtim të Urës së Gjolës, në drejtim të fshatit Bubq, Ishëm, Shkafanë, Hamallaj, Sukthi Ri, më pas është futur në autostradën me drejtim Tiranë-Durrës, dhe tek mbikalimi i Shkozetit ka lëvizur në Unazën e Re. Në orën 17:51, ky automjet shfaqet për herë të fundit në rrugën “Aleksandër Goga”, në Spitallë të Durrësit.

Grupi hetimor ka sekuestruae edhe pajisjen DVR në shtëpinë e Antigona Brahimit, e cila është motra e një prej të dyshuarve të ngjarjes, Ilir Beqarajt, por edhe bashkëshortja e Roan Brahimit, i vrarë në Athinë, më 9 maj të vitit 2024, vetëm pak javë pas vrasjes së Gentian Bejtes.

Dosja e Prokurorisë

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të DVR-së së sekuestruar në vilën e shtetases Antigona Brahimi, rezulton që më herët, në datë 15 mars 2024, në orën 10:30, antomjeti “Golf” me targa AB 060 GG, është futur në ambientet kompleksit rezidencial, në Lundër të Tiranës, ku ndodhet shtëpia e shtetases Antigona Brahimi dhe pasi është kthyer ka dalë sërish nga ambientet e këtij kompleksi rezidencial. Ndërsa, në orën 09:39 ky automjet shfaqet në lëvizje duke dalë nga një tjetër kompleks rezidencial, po në zonën e Lundrës, ku ndodhet shtëpia e Ilir Beqarajt. Më pas, në orën 10:22 ky automjet konstatohet në lëvizje tek ish – sheshi “Shqiponja”, në drejtim të Mbikalimit të Kamzës dhe në orën 11:30, ky automjet shfaqet në lëvizje në segmentin rrugor Ura e Gjoles, në drejtim të Mbikalimit të Fushë – Krujës, në rrugën përpara shkollës në fshatin Luz, Fushë Krujë.

Njëkohësisht, nga këqyrja e kamerave të sigurisë, shfaqet edhe shtetasi Edison Haxhiu, i cili në intervale të ndryshme kohë, ka hyrë  dhe ka dalë disa herë nga shtëpia e Antigona Brahimit, më një makinë “”Golf”, ngjyrë kafe, që ishte marrë me qira nga Ilir Beqaraj. Po ashtu, ky person, ka rezultuar duke lëvizur edhe me automjete të tjera, një “Land Rover”, “Mercedez Benz”, si dhe me një “Audi”. Nga verifikimet në sistemet që administrohen nga Policia e Shtetit, rezulton se me automjetit e markës “Golf” me targa AB960GG, kanë udhëtuar dhe janë regjistruar në hyrje – dalje, në vendkalime kufitare, përveç pronarit Edison Haxhiu edhe Ilir Beqaraj.

Në vijim të ndjekjes së dinamikës së këtij hetimi, duke aplikuar dhe metoda speciale të kombinuara me veprime të hapura, më datë 19 prill 2024, rreth orës 09:20 Edison Haxhiu, është konstatuar në ambientet e një lavazhi automjetesh pranë një qendre tregtare, duke larë mjetin “Golf”. Shërbimet e Policisë Gjyqësore kanë bërë të mundur shoqërimin e këtij personi së bashku me mjetin në fjalë për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe më pas është vijuar me ushtrimin e kontrollit të banesës së Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj. Gjatë kontrollit të banesës së Ilir Beqarajt, në kompleksin rezidencial në Lundër të Tiranës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri pistoletë me 8 fishekë, një armë gjahu me një brez me 20 e nëntë fishekë, 5 pajisje si ato radio marrëse dhënëse, një pasaportë lëshuar nga Republika e Kosovës me emrin Bekim Avdija, e falsifikuar, si dhe një kartë identiteti po me të njëjtin emër.

Gjatë këqyrjes së automjetit “Golf”, me targa AB 960 GG, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 20 tamponë steril me mbetje biologjike të marra dhe fiksuara në pjesë dhe vende të ndryshme të mjetit, një fije floku dhe prova të tjera të vlefshme për ekzaminime, si dhe gjurmë gishti.

Gjithashtu, në funksion të hetimit të kësaj ngjarje, më datë 19 mars 2024, nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale përveç automjetit “Golf”, të Edison Haxhiut edhe mjeti “Golf 6”, me ngjyre kafe me targa AB 485 BN, që ishte marrë me qira nga Ilir Beqaraj. Ky mjet kishte të instaluar 2 pajisje GPS të cilat janë verifikuar për të mësuar intinerarin e lëvizjes. Ka rezultuar se në datë 2 janar 2024, ky automjet ka ndaluar për rreth 35 minuta pranë një kompleksi në aksin rrugor Nikel – Mukje, në fshatin Verjon, që njihet si lokali i Durim Bamit, ndërsa në datën 7 maj 2024 ky automjet ka qëndruar i ndaluar nga ora 20:27 deri në orën 20:36 pranë banesave të shtetasve Durim e Valter Bami, në fshatin Zezë, të Niklës.

Dosja e Prokurorisë

Nga të dhënat hetimore, rezulton se viktima, Gentian Gani Bejtja, ka qenë person me precedent të mëparshem kriminal, i hetuar, gjykuar dhe dënuar për disa vepra penale. Gjithshtu, ky shtetas ka qenë disa herë objekt sulmi me armë, për ta eliminuar fizikisht. Kështu, nga të dhënat e bëra publike disa kohë më parë, lidhur me një hetim të zhvilluar nga SPAK, që është konkluduar me caktimin e masave te sigurimit personal “arrest në burg, për disa shtetas, ndër të tjera rezulton që shtetasit Arben Ndoka (në kërkim), Arian Tuku, Samual Ndoka, Ervis Martinaj person në kërkim dhe njëkohësisht i kallëzuar si humbur nga familjarët e tij, Jozi Kraja (në kërkim), Astrit Avdyli, Aldo Avdyli, Arben Merkuri (i vrare), Elvis Ndreca, Naim Stafuka, Emiljano Shullazi (në burg), Blerim Abazi, Gjin Ndoj, Marklen Haka dhe Gentian Bejtja (i vrarë në datë 15 mars 2024), gjatë vitit 2020, kanë ndërmarrë veprime konkrete, duke siguruar kushte dhe mjetet materiale, për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Nga këto të dhëna rezulton se Gentian Bejtja, ka pasur rol aktiv, për sigurimin e informacioneve për lokalizimin, vëzhgimin e vëllezërve Bami dhe strehimin e automjeteve e ekzekutorëve, që do të kryenin ekzekutimin e tyre. Por nga ana tjetër, sipas të dhënave të grupit hetimor përveç dyshimeve drejt vëllezërve Bami, nuk përjashtohet as Roan Brahimi si person që mund të ketë porositur vrasjen e tij. Madje as mundësia që të tre mund të jenë bërë bashkë për realizimin e ngjarjes. Ndërsa duket se grupi hetimor është i bindur se urdhri është dhënë nga Dubai.

PLANI PËR VRASJEN E DURIM BAMIT

Dyshimet se ekzekutimi i Gentian Bejtes mund të ketë qenë me porosi të vëllezërve Durim e Valter Bami, lidhen me përfshirjen e tij në planin e grupeve rivale për eliminimin e tyre. Planet janë zbuluar përmes bisedave të kryera në platformën SKY, mes personazheve kyç të disa grupeve kriminale, që u goditën nga SPAK në vitin 2024, ashtu siç përmenden edhe në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, që hetoi vrasjen e Gentian Bejtes. E duket se kjo ka qenë arsyeja pse pas vrasjes së tij, Prokuroria ka urdhëruar kontrollin e banesave dhe deklarimet e disa personave në Nikël, mes të cilëve edhe Marklen Haka dhe Valter Bami. Sipas dosjes së SPAK që zbërtheu aleancat mes 6 grupeve kriminale, gjithçka nis një mëngjes dhjetori të vitit 2017 në Lezhë. Plumbat e kallashnikovit i marrin jetën Aleksandër Ndokës, brenda makinës, kur sapo kishte parkuar para shtëpisë. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kryeinspektori i IKMT-së për Veriun, u qëllua me breshëri  në makinën e tij “Mitsubishi”. Aleksandri ishte vëllai i Arben Ndokës, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste. Për shumë kohë ai i besoi drejtësisë. Por nga ana tjetër nisi hetimet vetë për të zbuluar autorët.

E atëherë kur nuk ishte më deputet, për shkak se e humbi mandatin, Arben Ndoka nisi të punojë vetëm në këtë drejtim. Të zbulojë se kush i kishte vrarë vëllain. I bindur se pas kësaj ngjarje ishte Durim Bami, një personazh që drejtonte grupin në zonën e Niklës në Fushë-Krujë, Ndoka nis bashkëpunimin me grupe të tjera për eliminimin e tij.

Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Nga çfarë rezulton gjatë hetimeve të SPAK, Arben Ndoka është i angazhuar për të vrarë Durim Bamin, pasi dyshon se është autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij. Gjatë komunikimeve në SKY me persona të tjerë, Ndoka shprehet se është i interesuar që t’i vrasë vëllezërit Durim e Valter Bami, por edhe kushdo që të jetë në prezencën e tyre. Për këtë qëllim ai bashkëpunon me familjarë dhe miq.

Një ndër ta është edhe Arian Tuku, bashkëshorti i vajzës së tij, i cili e mbështet duke i krijuar kontakte me persona të tjerë që të kryejë vrasjen, e ndihmon ekonomikisht dhe me informacione për ta lokalizuar Durim Bamin. Nga ana tjetër, Tuku është i gatshëm që të transferojë para nga llogaria e tij bankare në Itali drejt një banke në Shqipëri që t’i përdorin për këtë qëllim. Ndoka bashkëpunon gjithashtu edhe me nipin, Samuelin, i cili është djali i vëllait të vrarë. Me porosi të xhaxhait të tij, Samuel Ndoka mban kontakte me Gentian Bejtjan dhe Naim Stafukën, të cilët i kanë treguar vendet që frekuenton Durim Bami, automjetet që përdor dhe oraret kur lëviz. Samueli po ashtu mban kontakte edhe me Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, persona të kontraktuar për të kryer vrasjen.

Bashkëpunimin kryesor për realizimin e vrasjes së Durim Bamit, Arben Ndoka e ka me Ervis Martinajn, që ka financuar për këtë qëllim, ka kontraktuar persona që të angazhohen në vrasje, si dhe ka siguruar automjete për vëzhgimin. Gjithashtu, Ndoka lidh aleancë edhe me Astrit Avdylin, me qëllim vrasjen e Durim Bamit dhe marrjen peng të vëllait të tij, Valter Bami.

Gjatë hetimeve të SPAK del në skenë edhe Emiljano Shullazi, i cili edhe pse ndodhet në burg, ka një rol kryesor në bashkëpunimin me Arben Ndokën, për realizimin e vrasjes së Bamit. Shullazi angazhon në të mision edhe Marklen Hakën. Po ashtu, Ndoka bashkëpunon edhe me Behar Bajrin për këtë qëllim.

Në një nga episodet ku tentohet eliminimi i Durim Bamit, kur ai ndodhet në plazh në Ksamil, në gusht të vitit 2020, bien në sy veprimet aktive të Gentian Bejtjas, i cili u vra më 15 mars 2024 dhe si të dyshuar për ngjarjen Policia e Tiranës pati vëllezërit Bami, të cilët rezultuan se ndodheshin në Dubai. Bejtja shfaqet duke komunikuar me kunatin e tij, i cili ndodhet në plazh me Bamin dhe nga ai merr informacionet që më pas ia transmeton Arben Ndokës. Nga bisedat që bëhen mes tyre, rezulton se bëhet fjalë për Ramazan Sinon, i cili mbeti i vrarë në një tjetër atentat para shtëpisë së Gentian Bejtjas, më 4 korrik 2023, kur ndodhej në makinë bashkë me dy djemtë e Gentianit.

Gentian Bejtja – Arben Ndoka

Gentian Bejtja: Deri nga ora 2 ka qenë duke ngrënë drekë në restorant. Ta pys. Fola, deri tani aty ishte. I kishte dhënë çunit tim 200 euro, për qejf gjoja. Kishte thënë se do rrinte disa ditë. Dje kishte shkuar. Duhet me i nejt gati, ndoshta s’del natën. Nesër e ke në shezllon,  po ishalla s’po ik fare.

Gentian Bejtja: Gjej rob ta bojë aty (ta vrasë). Mos nigjo barcalketat e atij që thoshte se maroj punë në Durrës. Se në Durrës e marojnë të gjithë. Po është turp për zotin me e lon. S’do ta gjejmë mo at shanc. Bo bo sa gjynaf mos me maru pun. Mos prit me gjet makinë se ndoshta s’ka fare.

Gentian Bejtja: Do gjoja me më taku dhe mu. I kishte thonë kunatit jena prish kot, na kanë ngatërru të tjerët me keqkuptime. Ai do shkri me acid. S’ka rob më të pabesë. Shif gjej ndonjë ulja automatin. Mos u tremni nga shteti po maro punë. Ta rujn ato që janë aty se kunati mund ta ruj më se e njofin. Është t’u rreziku kot se ai është në punë në prokurori.

Me gjithë angazhimin maksimal për ta ekzekutuar në plazh, Durim Bami arrin të largohet. Këtu nis angazhimi i Ervis Martinajt, i cili përveç mbështetjes me automjete dhe njerëz, ka futur edhe një vajzë që të joshë një nga personat që shoqëron Bamin.

Gjatë hetimeve del në skenë edhe Behar Bajri, i arrestuar në vitin 2023 në kuadër të operacionit Metamorfoza. Pasi kanë dështuar disa tentativa, në një moment Arben Ndoka bisedon me Behar Bajrin, ku ky i fundit i thotë që është doku folur me Durim Bamin dhe i është shprehur se do shkojë ta takojë në Shkodër.

Pas kësaj bisede që Arben Ndoka kryen me Gentian Bejtjan, më 4 nëntor 2020, ndodh edhe atentati. Jo në lokalin ku kishte informuar Bejtja, por në makinë, tek Ura e Tapizës. Është qëlluar me armë zjarri nga një automjet “Golf” ngjyrë gri në drejtim të Durim Bamit i cili drejtonte makinën “Range Rover”, të zezë, me targa italiane. Ai ka qenë duke udhëtuar nga Ura e Tapizës në drejtim të Fushë-Krujës dhe pasagjer ka qenë djali i hallës së tij, Ervin Kodra, i cili mbeti i plagosur. Nga hetimet e kryera, rezulton se personat që kanë pasur rolin e ekzekutorit në këtë ngjarje, kanë qenë Hektor Xheçuka dhe Florenc Kelmendi. Ndërsa Albert Zaja e ka vëzhguar atë nga Kamza në Tapizë. Në Fushë-Krujë e ka vëzhguar Marklen Haka. Këtë ngjarje, sipas SPAK e ka porositur dhe financuar Ervis Martinaj, që ka kontraktuar Xheçukën dhe Zajën.

Megjithatë, edhe pas angazhimit e ndjekies së tij nga Veriu në Jug, vrasja e Durim Bamit nuk u arrit të realizohej, ndonëse ishin angazhuar 15 persona.

GJURMËT E GISHTAVE DHE ADN

Nga akti i ekspertimit vlerësues, i datës 21 mars 2024, është konkluduar se në sipërfaqen e objekteve të ekspertimit, fiksuar si provë materiale në këqyrjen e automjetit “Golf” me targa AB960GG, ndodhen 12 gjurmë papilare të vlefshme për identifikim. Eshtë administruar akti i ekspertimit daktiloskopik vlerësues i provave materiale dhe rezulton se, një nga gjurmët e fiksuara në makinë, sipas të dhënave që ndodhen në database, në sistemit AFIS/APIS , është formuar nga pëllëmba e dorës së Edison Haxhiut.

Nga mostra biologjike të ekzaminuara me analizën e AND-së, përgatitur nga materiali i fiksuar në makinë, në dorezën mbajtjëse të pasagjerit prapa djathtas dhe doreza e derës së pasagjerit të dyte djathtas, u përftuar profil gjenetik miks i vlefshëm per krahasim me analizën e AND-së.

Nga kontrolli i kryer, në bazën e të dhënave CODIS, në Sektorin e Biologjisë, rezulton profili gjenetik i shtetasit Flodian Nustret Serjani, i cili përfshihet në profilin gjenetik miks të përftuar nga materiali i fiksuar në në dorezat e makinës tip “Golf”. Po kështu, në të njëjtën u zbulua edhe profili gjenetik i Ilir Beqarajt.

Dosja e Prokurorisë

Nga akti i ekspertimit biologjik i AND-së me nr. 3619, datë 28.05.2024, është konluduar se: Profili gjenetik i shtetasit Flodian Nusret Serjani, përfshihet në profilin gjenetik miks përgatitur nga materialet e marrë në dorezën mbajtëse të pasagjerit prapa djathtas dhe dorezën e pasagjerit të dytë djathtas, gjatë këqyrjes se mjetit me traga AB 960 GG, në pronësi të Edison Haxhiut. Ndërsa profil gjenetik i shtetasit Ilir Beqaraj përfshihet në profilin gjenetik miks të përgatitur nga materiali i përftuar nga doreza rregulluese e pasagjerit para dhe doreza e derës së parë të pasagjerit, marrë gjatë këqyrjes se të njëjtit automjet. Pra, në automjetin “Golf” me ngjyre të zezë, me targa AB960GG, në pronësi të Edison Petrit Haxhiut, arrestuar në datë 19.03.2024, që është përdorur nga autorët për t’u larguar menjëherë pas djegies së automjeti markës “Land Rover”, në fshatin Hasan, Fush-Krujë, është përftuar profil gjenetik i shtetasëve Ilir Sadik Beqaraj, alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, arrestuar në datë 19.03.2024, dhe Flodian Nustret Plaku, alias Flodian Serjani, alis Flodian Mamo, të cilët dyshohen se kanë patuar rol në ekzekutimin e shtetasit Gentian Bejtja, më datë 15.03.2024, në fshatin Larushkë, Fush – Krujë.

Nga veprimet hetimore të kryera organi akuzës ka pretenduar se ditën e ngjarjes Ilir Brahimi rezulton se ka qenë në drejtimin e mjetit “Golf” me targa AB 960 GG dhe po kështu rezulton se në këtë automjet janë gjetur gjurme AND-je të Flodian Plakut. Sipas Prokurorisë ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, të cilat në unitetin e tyre tregojnë se pjesëmarrës në ngjarje është personi i dyshuar Flodian Plaku. Sipas provave, Ilir Beqaraj dhe Flodian Plaku kanë konsumuar veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Nga verifikimet në sistemet që administrohen nga Policia e Shtetit rezulton se shtetasin Flodian Nustret Plaku, alias Flodian Serjani, alias Florjan Serjani, figuron i regjistruar me adrese banimi rruga “Safet Kofina”, Vlorë. Ky shtetas ka në pronësi automjetin e markes “BMW X6” dhe përdor dy numra telefoni. Në rubrikën/modulin “Fletë arresti”, me date 31 maj 2019 ka shënim me përshkrimin: Flodian Serjani shpallet në kërkim me kartelë të Kuqe, Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Hetimit paraprak në Firenze, Itali, ka lëshuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar, për veprën penale “Krijim i organizatës kriminale me qëllim trafikim e lëndëve narkotike”, e parashikuar nga Kodi Penal Italian.

LINJA PËR NË DUBAI

Nga verifikimet në sistemin Tims, rezulton së Flodian Plaku, është regjistruar në hyrje për herë të fundit në Republikën e Shqipërisë me datë 15 prill 2024, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas, dhe është regjistruar në dalje nga territori shqiptar më datë 25 maj 2024, po në Rinas.

Gjatë hetimeve janë zbuluar të gjitha udhëtimet që Flodian Plaku, por edhe persona të tjerë, pjesë e kësaj dosjeje, kanë kryer nga Shqipëria drejt destinacioneve të tjera, kryesisht drejt Dubait. Rezulton se të gjitha biletat e avionit janë rezervuar në një agjenci udhëtimi në Lezhë dhe pagesat janë kryer me kartë.

Sipas verifikimeve, Flodian Plaku, më 14 prill 2024 ka udhëtuar nga Rinasi në drejtim të aeroporit “Nikola Tesla”, në Serbi, ku ka qëndruar 11 orë dhe është kthyer sërish në Rinas. Në datë 25 maj 2024 ai ka udhëtuar nga Rinasi dejt aeroportit “Ataturk”, në Turqi. Biletat e udhëtimit rezulton të jenë marrë në Lezhë dhe pagesa është bërë me kartë krediti. Në këto udhëtime Plaku, ka qenë i pa shoqëruar me persona të tjerë. Është bërë verifikimi i numrit të telefonit, ku bëhej rezervimi i biletave në agjencinë në Lezhë dhe ka rezultuar i regjistruar me emrin Dona Dushi.

Në të njëjtën agjenci, janë blerë bileta edhe nga Klajdi Lita, person në pronësi të të cilit ishte njëra nga makinat, me të cilat ka lëvizur Edison Haxhiu dhe rezulton që ai në disa raste ka shoqëruar në udhëtim edhe bashkëshorten e fëmijët e Roan Brahimit. Ky person, me datë 1 mars 2025, ka udhëtuar nga Tirana në Dubai, ndërsa pas 4 ditësh, më 5 mars 2025, është kthyer nga Dubai në Tiranë. Rezervimi i këtij udhëtimi është bërë në agjencinë në Lezhë dhe pagesa është kryer me kartë krediti në shumën 1110.25 euro.

Janë verifikuar edhe disa udhëtime të tjera të tij, nga Dubai në Tiranë, nga Turqia në Malaga të Spanjës, që ka qenë destinacion përfundimtar. Në ketë udhëtim Klajdi Lita ka qenë së bashku, me Antigona Brahimin dhe dy djemtë e saj, fëmijët e Roan Brahimit. Më pas janë zbuluar edhe udhëtime të tjera, në Dubai, Turqi dhe Austri.

Dosja e Prokurorisë

Nga analiza e të dhënave të sipërcituar, rezulton që shtetasi Klajdi Lita gjatë periudhës kohore 2023 – 2024 ka udhëtuar shpesh së bashku me shtetasen Antigona Brahimi dhe dy djemtë e saj, bashkëshortja dhe fëmijët e shtetasit Roan Brahimit. Rezervimet e këtyre udhëtimeve janë bërë në Lezhë, ku nga e njëjta agjenci në qytetin e Lezhës është rezervuar edhe bileta e udhëtimit nga Shqipëria në Serbi, për shtetasin Flodian Plaku.

Sipas të gjitha të dhënave, Prokuroria ka dyshime se udhëtimet e shpeshta në Dubai të këtyre personave, por edhe prova të tjera të zbuluara gjatë hetimit lidhen me personat që mund të kenë porositur vrasjen e Gentian Bejtes. Përveç dyshimeve të para drejt vëllezërve Durim dhe Valter Bami, emri tjetër që del nga dosja e Prokurorisë është edhe ai i Roan Brahimit.

Në kushtet kur personi që dyshohet si financues i vrasjes së Bejtes nuk jeton më, hetimet janë fokusuar tek personat që kanë qenë afër tij, aleatët, që në mos miqësia mund t’i ketë lidhur armiku i përbashkët.

Dhe duket se edhe për vrasjen e Gentian Bejtes, ashtu sikurse për disa vrasje të tjera, rrugët që dikur të çonin në Fushë – Krujë, tashmë janë zhvendosur në Dubai.

Aty ku për shumë kohë, më të kërkuarit nga drejtësia shqiptare, jo vetëm janë strehuar për t’i shpëtuar ekstradimit, por kanë thurur edhe plane për të eliminuar kundërshtarët./Emisioni Gjërat Tona

 

Etiketa: DubaiGentian BejtjaRoan Brahimivellezerit bami

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Atentati në Fushë Krujë/ Babai i Gentian Bejtjës: Pas breshërisë, një fuoristradë e zezë u largua me shpejtësi

20:31 : 21/09/2025
BOTA

“Jo vetëm influenceret të përfshira”/ Zbulohet rrjeti i p*ostitucionit në Dubai: Si mashtroheshin gratë

11:12 : 17/09/2025
BOTA

Pse milionerët dynden drejt Dubait?

17:24 : 24/08/2025
AKTUALITET

Daily Mail: “Hellbanianz”, karteli famëkeq shqiptar ngre një fortesë të re në Dubai

16:56 : 09/08/2025
AKTUALITET

Vrasja e Gentian Bejtjas/ Zbardhet dosja: Një gjurmë gishti “tradhtoi” Flodian Plakun

16:19 : 06/08/2025
Në foto: Flodian Plaku
AKTUALITET

Detajet/ “Pole Qorri” kishte marrë sërish porosi për vrasje, kush e shoqëronte kur u kap

18:39 : 03/08/2025
Para

Aksident në Korçë/ Automjeti përplas motorin, një i plagosur

TË GJITHA

Horoskopi ditor, e Hënë 22 shtator 2025

22:58 : 21/09/2025

“Në kujtim të Charlie Kirk”/ Berisha: Luftëtarët e fjalës së lirë, të pavdekshëm

22:40 : 21/09/2025

Microsoft prezanton qendrën më të fuqishme të të dhënave për AI

22:33 : 21/09/2025

Përleshje mes shqiptarëve dhe tunizianëve në Itali, dy të plagosur, një në gjendje kritike

22:18 : 21/09/2025

Pse Jori nuk poston me reperin italian? Modelja zbulon nëse lidhjes së tyre i erdhi fundi

22:05 : 21/09/2025

Portugalia njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës

21:56 : 21/09/2025

Izraeli shton sulmet në Libanin jugor, pesë të vde*ur

21:42 : 21/09/2025



RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com