Karabinierët e Umbra në Itali arrestuan një 27-vjeçar shqiptar, që dyshohet se është përfshirë në rrjetin e trafikantëve të kokainës në këtë rajon.
Arrestimi u krye në fundjavë, teksa i riu po i shiste dozën e drogës një përdoruesi. Policia kishte ngritur një pikë kontrolli dhe në patrullim vunë re një automjet të dyshimtë.
Pak më pas, 27-vjeçari në automjet u vu re duke shkëmbyer dozën e drogës me një tjetër burrë që lëvizte po me makinë.
Pasi u ndalua dhe u identifikua, i riu iu nënshtrua një kontrolli personal dhe të makinës. Brenda makinës u gjetën dy doza shtesë kokaine, të paketuara paraprakisht dhe gati për shitje, me një peshë totale prej 2.5 gramësh, si dhe 460 euro në para të gatshme, të ndara në kartëmonedha të vogla, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm.
I dërguar në kazermat e Bastia Umbra, i riu i huaj u arrestua për posedim të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe u mbajt në qelitë e paraburgimit të Komandës së Kompanisë së Karabinierëve në Assisi, kurse Gjykata e Peruxhias vendosi dëbimin e tij pasi të mbyllej procesi hetimor dhe gjyqësor.