Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin, Julian Manahasa, ka krijuar një skemë të guximshme korrupsioni, duke vendosur në pozita të vështira edhe SPAK.
Nëse zyrtarët e tjerë vendor përpiqen të jenë sa më të kamufluar dhe sofistikuar kur përfshihen në përvetësimin e parave dhe pasurive publike, titullari i Bashkisë Peqin, Julian Manahasa ka vendosur t’i bie shkurt, duke i dhënë vetes paratë publike, përmes një skeme transparente korrupsioni.
Në vitin 2022, Manahasa ka themeluar komapaninë e ndërtimit T&J Construction shpk, duke qenë edhe në funksione të larta drejtuese në Bashkinë e Peqinit.
Dy vjet më pas, Manahasa i ka shitur 50 % të aksioneve shtetasit Emilian Lluca. Duke keqpërdour funksionin publik, Manahasa ka nisur që të kalojë në llogaritë e kompanisë së tij një pjesë të parave publike të Bashkisë Peqin.
Kompania T&J Construction ka marrë rreth 70 mijë euro kryesisht nga Bashkia Peqin. Në bashkëpunim ka marrë rreth 4 milionë euro tendera publikë. Ka dyshime të forta se Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Peqin Julian Manahasa është përfshirë në një skemë më thellë korrupsioni me paratë publike.
Duke parë xhiron dhe transaksionet e T&J Construction, krijohen dyshime të forta se Manahasa ka diktuar tendera me vlerë miliona euro për disa kompani klienteliste, të cilat më pas kanë kontraktuar kompaninë e tij për zbatimin e kontratave publike. Është një manovër e përdorur masivisht me qëllim për të evituar ekspozimin dhe goditjen nga SPAK-u.
Pas provave të para të suskseshme, Manahasa po gatuan një skemë korrupsioni me vlerë 800 mijë euro, për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore ‘Ferdinand Deda’ në Peqin. Tenderi është anuluar një herë pasi nuk fitoi kompania ‘që duhej’, sepse një kompani tjetër u fut me ofertë të ulët, duke sabotuar skemën.
Këtë tender Manahasa synon t’a marrë vetë, përmes një kompanie të paracaktuar, e cila më pas do të kontraktojë kompaninë e tij T&J Construction. Kjo lojë me paratë publike ku një personazh është edhe arbitër dhe lojtar zhvillohet nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi.
Manahasa dhe Maçi janë edhe ideatorët e marrëzisë së pashembullt, atë të betonizimit të Rrugës Egnatia. Studiuesi Auron Tare i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndërhyjë për të ndaluar këtë marrëzi të Bashkisë Peqin që të shpëtohet pa qenë vonë pjesa e Rrugës Egnatia që shtrihet në Shqipëri, një ndër 10 rrugët më të rëndësishme te civilizimit europian.
Skandali i betonizimit të rrugës historike karakterizohet nga babëzia për vjedhjen e fondeve publike, injoranca ekstreme, papërgjegjshmëria dhe mungesa e frikës nga ndëshkimi ligjor.
Jo rastësisht, tenderin për të betonizimin e rrugës antike ku shkelen legjionet romake gjatë Luftës Civile te Cezarit dhe Pompeut, e ka fituar, me pazar në tavolinë, Eral Myftaraj, i njohur si brejtësi i pyjeve, për shkak të masakrave në pyjet e Qarkut të Elbasanit. Myftaraj është skeduar si ‘xhepi’ i Blendi Çuçit dhe prestanome e tij në disa tendera me vlera të larta. /Prapaskena