Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar përmes një “e mail”-i për gazetarët në lidhje me dosjen e njohur si “Buka”, ku ai është marrë i pandehur për veprën penale “Shpërdorim detyre”, ku fillimisht Ahmetraj u akuzua se i kishte shkaktuar rreth 7 miliardë lekë dëm shtetit.
Për këtë çështje SPAK po heton edhe 7 persona të tjerë përfaqësues të Ministrisë së Financave si dhe biznesmenin Lirim Fezollari, por ndaj tyre është ndarë dosja më vete, duke ngritur dyshime për favorizim ndaj biznesmenit.
Lirim Fezollari përfitoi aksionet e “Buka” sh.a., bazuar në një procedurë ankandi të zhvilluar nga ish-ministri Arben Ahmetaj në vitin 2015 dhe që u konstatua e paligjshme nga gjykata.
Arben Ahmetaj akuzon prokurorin e çështjes, Elvin Gokaj, se tashmë ia ka tërhequr akuzën dëmin e shkaktuar ndaj shtetit, duke pranuar se ka qenë lapsus i tij dhe se po fsheh provat për të mbrojtur personat e përfshirë në dosje.
Sipas Ahmertajt, akuzat ndaj tij ishin shtuar qëllimisht për shkak se ishte targetuar nga “i madhi”, duke iu referuar Edi Ramës.
“Do të lutesha të lexonit me kujdes se si prokurori i cili në fillim më akuzonte që kam dëmtuar shtetin, e tërheq këtë akuzë për dëmtim të shtetit. Se si po ky prokuror fsheh provat përpara gjykatës për të mbrojtur personat e përfshirë në dosje, që nga telefona të caktuar t’i janë rikthyer, komunikime telefonike në këto telefona që janë fshehur, deri tek dëshmi të personave të pyetur të cilat nuk paraqiten.
Që nga korriku i vitit 2022 kur kjo çështje u mor nga SPAK, në media dhe gjithandej përflitej që unë akuzohesha që kisha dëmtuar shtetin, kjo gjë u shkrua dhe në akuzë.
Ndërkohë në seancën e gjykimit paraprak prokurori tërheq akuzën e bërë nga vetë dora e tij e shkruar e zeza në të bardhë, se unë kam dëmtuar shtetin. “Është lapsus i imi…” deklaron. Është kjo qesharake Qesharake?? Është tendencioze akuza e dikurshme?? Pooo. “Ta ngarkojmë këtij se e ka kthyer i madhi në target”.” – shkruan Ahmetaj në e-mailin drejtuar gazetarëve.
Më tej Ahmetaj thotë se ndarja e dosjes në dy pjesë, ku u favorizua biznesmeni Lirim Fezollari, është stil tashmë i konsoliduar në shumë herë i organit të akuzës për të devijuar të vërtetën. Sipas ish-numrit dy të Qeverisë, ka vendim gjykate që çështja të mos ndahej.
Më tej, Ahmetaj thotë se prokurori e akuzon edhe pse nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kur nuk e ka zbatuar vetë prokurori, apo pse nuk ka qenë i pranishëm në sallë gjatë seancave gjyqësore, ku sipas ish-numrit 2 të Qeverisë, është e drejtë e çdo qytetari. Akuzën ndaj tij, Ahmetaj e konsideron si të sajuar.
Reagimi i plotë Ahmetajt:
“Të nderuar Gazetarë,
Këto dokumente që po ndaj me ju, do t’i ndaj edhe me media të tjera për t’i treguar kujtdo që është i interesuar se çfarë presioni politik, persekucioni personal, familjar po mbaj mbi supe.
Dokumentet që gjeni të atashuar në këtë email kanë të bëjnë me çështjen “Buka Sh.a” ku akuzohem për shpërdorim detyre.
Do të lutesha të lexonit me kujdes se si prokurori i cili në fillim më akuzonte që kam dëmtuar shtetin, e tërheq këtë akuzë për dëmtim të shtetit. Se si po ky prokuror fsheh provat përpara gjykatës për të mbrojtur personat e përfshirë në dosje, që nga telefona të caktuar t’i janë rikthyer, komunikime telefonike në këto telefona që janë fshehur, deri tek dëshmi të personave të pyetur të cilat nuk paraqiten.
Që nga korriku i vitit 2022 kur kjo çështje u mor nga SPAK, në media dhe gjithandej përflitej që unë akuzohesha që kisha dëmtuar shtetin, kjo gjë u shkrua dhe në akuzë.
Ndërkohë në seancën e gjykimit paraprak prokurori tërheq akuzën e bërë nga vetë dora e tij e shkruar e zeza në të bardhë, se unë kam dëmtuar shtetin. “Është lapsus i imi…” deklaron. Është kjo qesharake Qesharake?? Është tendencioze akuza e dikurshme?? Pooo. “Ta ngarkojmë këtij se e ka kthyer i madhi në target”.
E dyta po ta shikoni në dokumentin e atashuar, ka një moment ku debati Prokuror-Avokat ka të bëjë mes ndarjes së kësaj çështje në dy pjesë, stil tashmë i konsoliduar në shumë herë i organit të akuzës për të devijuar të vërtetën. Megjithëse ka vendim gjykate që të mos ndahet kjo çështje, prokurori e ka ndarë çështjen se ashtu i konvenion. Por cila është arsyeja? Të mos dali panorama e të vërtetës e plotë duke fshehur faktet, duke mos ngarkuar me përgjegjësi ata që janë pjesë?
E treta, Prokurori në akuzë pretendon se s’kam zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Prokurori që vetë nuk e zbaton vendimin e gjykatës, më akuzon mua për moszbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pse në rastin tim kjo gjë nuk është e vërtetë. Fakti që aksionet në konsekuencë të rivlerësimit të pavarur të kryer nga vlerësues të pavarur, tregon se vlera e aseteve dhe aksioneve për këtë shkak është trefishuar rrëzon dhe këtë pretendim.
Dhe ky vlerësim është për të gjitha palët, shtetin dhe privatin, pra aksionet si të shtetit ashtu edhe të privatit janë trefishuar me rivlerësimin.
Pretendimi i ri i prokurorit është që pse s’kam vlerësuar vetëm privatin. Në bazë të kujt ligji e neni ta bëj këtë? A ka ligj për Shoqëritë Aksionere? A ka ligj privatizimi të aseteve shtetërore?
Sigurisht që ka, por prokurori o nuk e njeh o nuk do t’i lexojë pasi në bazë të tyre unë s’kam shkelur asnjë ligj. Ashtu siç nuk përmend asnjë ligj që unë kam shkelur në akuzën e ngritur prej tij apo Rmes.
Ku është parë, e në cilin ligj shkruhet që kur vlerësohet shtëpia metrat katrorë të kuzhinës vlerësohen me 200 lekë, ndërsa ato të dhomës së gjumit me 50 lekë.
Nëse unë do kisha bërë këtë vlerësim për të cilin po akuzohem, meritoja të akuzohesha për atë që më bëjnë tani. DMTH duke mbrojtur interesat e shtetit e privatit në të njëjtën kohë kam bërë këtë “Krimin” e domosdoshëm, se ju duhem në burg.
E katërta, shiheni gjuhën që përdor prokurori… Po të ishte i pavarur s’do bridhte rrugëve të Europës. Ku e gjen të drejtën të paragjykojë për prezencën apo mos prezencën time në sallën e gjyqit e cila është zgjedhje sovrane e çdo njeriu. Hajde Reformë në Drejtësi hajde… E mbani mend deklaratën për dosje voluminoze që as i lexon.
Në dokumentin në WeTransfer gjeni aktin e vlerësimit ku do të shihni çmimin e referencës për vlerësimin e.
Shpresoj që t’i lexoni këto dokumente e të nxirrni konkluzion vetë. E më tej, pyesni për kureshtje një vlerësues të pavarur tjetër se si bëhen këto vlerësime, e si rivlerësohet një Sh.a (shoqëri tregtare).
Nuk është se habitem me këtë gjë, që dikush e quan qesharake. Unë që e kam në kurriz e di mirë pse e kanë sajuar edhe këtë akuzë.
Fatkeqësisht një pjesë e juaja s’e keni ndarë kurrë qëndrimin tim me shikuesit apo lexuesit tuaj, po kjo është çështje që lidhet me interesat e mediave që ju drejtoni.
Ndjesë për këdo, po këto email-e kisha.” – shkruan Ahmetaj.
Ankandi problematik i “Buka”
“Boldnews.al” ka raportuar më parë për dosjen “Buka”, në të cilën janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.
Në fillim Arben Ahmetaj, më tej Shkëlqim Cani dhe në fund Erion Veliaj, kanë ndërmarrë një seri aktesh, në kundërshtim me vendimet e gjykatave, madje edhe asaj Kushtetuese, për t’i dhënë biznesmenit Lirim Fezollari prona publike, të cilat u ishin njohur pronarëve.
Dhe më tej, këto prona u shndërruan në asete tejet fitimprurëse për biznesmenin, duke shënuar një skandal shumë të rëndë financiar dhe ligjor, ku e shohin veten të përfshirë më së paku tre bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama.
Rasti doli në sipërfaqe disa muaj më parë, kur Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), thirri si “person që ka dijeni” Shkëlqim Canin, ish-ministrin e Financave në mandatin e parë qeverisës së Edi Ramës.
Cani u paraqit para prokurorëve, pas kallëzimit të përfaqësuesve të një familjeje të vjetër tiranase, të cilat panë me sytë e tyre se si prona e trashëguar po u tjetërsohej në favor të Lirim Fezollarit dhe askush nga qeveritarët nuk pranoi t’i dëgjonte.
“Boldnews.al” ka siguruar detaje mbi këtë çështje, të cilat gjenden në vendimet e formës së prerë të gjyqësorit shqiptar.
Historia e skandalit qeveritar
Në Korrik të vitit 1995, një vendim i Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KPPP), i saktësuar nga një vendim gjyqësor i asaj kohe, i ka njohur një familjeje të vjetër tiranase pronësinë në një sipërfaqe 8980 m2 në zonën e “5 Majit”, nga e cila 4890 m2 ishte ndërtesë e fabrikës shtetërore të Bukës.
Dy muaj më pas, në Tetor 1995, është regjistruar shoqëria tregtare anonime “Buka” sha, në pronësi absolute të shtetit shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Financave. Pjesë e aseteve të kësaj shoqërie ishte edhe trualli, i cili i ishte njohur familjes tiranase.
Në vitin 1996, Ministria e Financave vendosi shitjen e 49 përqind të aksioneve të saj, duke vijuar të ruajë kontrollin mbi shoqërinë “Buka” sha.
Në vitin 2000, Ministria e Financave ka llogaritur kuotat që i takojnë ish-pronarëve në shoqërinë “Buka” sha. Për ish-pronarët e truallit të kësaj shoqërie është akorduar vlera prej 8.8 milionë lekë të reja, që i korrespondon një pakete prej 3.1 përqind të aksioneve.
Në vitin 2004, Ministria e Ekonomisë vendos të shesë aksionet e saj në shoqërinë “Buka” sha, në shifrën 47.65 përqind.
Trashëgimtarët e truallit kanë kundërshtuar në rrugë gjyqësore, si vlerën e kuotave që u është përcaktuar nga Ministria e Ekonomisë, po ashtu edhe procedurën e ankandit, derisa të sqarohet përfundimisht sasia e aksioneve në “Buka” sha.
Ndër të tjera, vendimi i Ministrisë së Ekonomisë për numër minimal kuotash, u hiqte të drejtën atyre jo vetëm të një vlerësimi të drejtë, por edhe të përfshirjen në ankand me të drejtën e parablerjes së aksioneve qeveritare.
Kërkesa e tyre pranohet nga Gjykata e Apelit në vitin 2006 dhe Ministria e Ekonomisë detyrohet nga gjykata që të anulojë ankandin, si edhe të vlerërojë trashëgimtarët e pronarit me vlerën e tregut.
Ministria e Ekonomisë anuloi procedurën e ankandit, por për vite me radhë nuk zbatoi pjesën e vendimit për ri-llogaritjen e aksioneve të trashëgimtarëve dhe vlerësimin e tyre.
Në vitin 2014, Ministri i Ekonomisë së kohës, Arben Ahmetaj, shpall sërish ankandin për shitjen e 47.6 përqind të aksioneve shtetërore në “Buka” sha.
Këtu është momenti kur shfaqet biznesmeni Lirim Fezollari. Në shtator 2014, ai fillimisht kishte blerë 15 përqind të aksioneve. Brenda tre muajve, deri në nëntor 2014, Fezollari arrin të blejë 40 përqind të aksioneve nga moria e ortakëve në minorancë (kryesisht ish-punonjës të “Buka” sha).
Pra, në momentin e shpalljes së ankandit, Lirim Fezollari rezultonte efektivisht aksioneri i dytë më i madh i “Buka” sha, pas Ministrisë së Ekonomisë.
Por, kjo situatë e aksionerëve nuk kishte reflektuar vendimin e Gjykatës së Apelit të vitit 2006, e cila kërkonte ri-vlerësimin e kuotave në shoqëri të trashëgimtarëve të truallit, ku gjendeshin godinat e “Buka” sha.
Ankandi i paligjshëm
Në Shtator 2014, Ahmetaj shpall procedurat e ankandit për shitjen e aksioneve të qeverisë në “Buka” sha., ndërkohë që nuk ishte zbatuar ende vendimi i formës së prerë, të marrë nga i Gjykata e Apelit në vitin 2006, për ri-llogaritjen e kuotave të ish-pronarëve në “Buka” sha.
Në Qershor të vitit 2015, Komisioni i Ankandit, i ngritur pranë Ministrisë së Financave, e cila në atë kohë drejtohej nga Shkëlqim Cani, nënshkruar një marrëveshje paraprake me biznesmenin Lirim Fezollari, ku përcaktohen modalitetet e procedurës.
Pra, duket qartë që në ankand nuk janë thirrur trashëgimtarët e ish-pronarit të truallit.
Në Gusht 2015, Ministria e Financave shpall biznesmenin Fezollari fitues të ankandit për blerjen e aksioneve (rrjedhimisht edhe aseteve) të shoqërisë anonime “Buka” sha.
Ndërkohë që zhvilloheshin këto procedura, trashëgimtarët e ish-pronarit i drejtohen sërish gjykatës, ku kërkohej anulimi i ankandit të shpallur rishtazi, si edhe rivlerësimin e pronës me çmimet e përcaktuara, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2001 dhe akteve pasuese të tij.
Ministria e Financave u tregua e paduruar për të mbyllur ankandin, ndërkohë që institucioni ishte i paditur në gjykatë dhe procesi gjyqësor ishte në vijim.
Në tetor 2015, vetëm dy muaj pas shpalljes së rezultateve të ankandit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë u jep të drejtë ish-pronarëve, duke vendosur gjithashtu anulimin e pasojave të procedurës.
Çështja shkon në Apel, me ankimues Ministrinë e Ekonomisë, si institucioni që kishte urdhëruar zhvillimin e ankandit.
Ndërkohë që çështja priste vendimin në Apel, rezulton se biznesmeni Lirim Fezollari, si aksioneri maxhoritar i “Buka” sha, shet asetet e shoqërisë, konkretisht trojet e saj, tek kompania “Tobbaco Holding”, e cila ishte gjithashtu në pronësi të saj.
Në nëntor të vitit 2017, Gjykata Administrative e Apelit u jep përfundimisht të drejtë ish-pronarëve, si për anulimin e ankandit, ashtu edhe për rivlerësimin e kuotave në shoqërinë “Buka” sha.
Por, tashmë, një pjesë e aseteve të saj, kryesisht në zonën “5 Maji” dhe tek “Pallati me Shigjeta”, Lirim Fezollari ia kishte shitur Lirim Fezollarit (shoqërisë “Tobbaco Holding”).
Në këto prona, biznesmeni Fezollari ka marrë leje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të ndërtuar një qendër tregtare (në zonën e “5 Majit”), si edhe ka ndërtuar një kompleks lojërash (tek “Pallati me Shigjeta”).
DOKUMENTI I DËRGUAR NGA ARBEN AHMETAJ